S’ka më dëshmitarë në gjykimin ndaj Gucatit e Haradinajt, diskutohet për deklaratat përmbyllëse

S’ka më dëshmitarë në gjykimin ndaj Gucatit e Haradinajt, diskutohet për deklaratat përmbyllëse

Në seancën e së hënës, mbrojtësit e Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit kanë konfirmuar se më nuk do të ftojnë dëshmitarë, përderisa gjatë kësaj seance, mbrojtja e prokuroria kanë bërë parashtrimet e tyre para trupit gjykues, ku është diskutuar edhe për deklaratat përmbyllëse në këtë rast.

Haradinaj e Gucati po akuzohen për vepra penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, avokati Jonathan Elystan Reese që mbron të akuzuarin Hysni Gucati tha se kërkojnë leje për apelim të një vendimi të trupit gjykues për dy çështje.

“A ka gabuar trupi gjykues për refuzimin e nxjerrjes për materialin që sipas mbrojtjes dëshmonte aspektin për çështjet që ishin në kundërshtim me parashtrimet e mbrojtjes për shtytjen e krimit dhe a ka gabuar trupi gjykues në arritjen e përfundimit nga ky material që ishte kundërshtues sa i përket shtytjes së krimit”, tha Reese.

Sipas tij, mbrojtja e Gucatit e Haradinajt e kanë ngrit mundësinë që materiali 205 mund të jetë në gjendje të dëshmojë moskryerjen nga ZPS të hapave hetimor adekuat.

“Theksi vendoset te fjala mundet, sepse si është pranuar nga mbrojtjet dhe trupi gjykues ne nuk e kemi parë materialin 205 apo përmbajtjen e këtij materiali, thjesht i kemi sjellë në vëmendje trupit gjykues mundësinë që ky material mund të jetë në gjendje të dëshmojë mosbërjen e hapave hetimor të ZPS-së”, ka thënë ai.

Ndërkaq, mbrojtja e Haradinajt i është bashkuar parashtrimeve të mbrojtjes së Gucatit.

Tutje, avokatët bënë të ditur se asnjëri nuk ka ndonjë dëshmitar tjetër për të ftuar në këtë gjykim.

Prokurorja Valeria Bolicci tha se pas vetëm pak kohe në sallë do të shprehin kundërshtimet që kanë për kërkesën e mbrojtjes.

“Në lidhje me kërkesën e parë të Gucatit, ne themi se mbrojtja thjesht nënvizon mospajtim pa ndonjë arsyetim. Sa i takon çështjes së dytë, vërejmë se çështja nuk del nga vendimi i trupit gjykues, mbrojtja e Gucatit kundërshton kornizën ligjore për këtë gjykatë. Në fakt rregulla 102 dhe 108 e rregullores parashikojnë procedurën që duhet ndjekur, jo për kundërshtimin e vendimit, por rregullores”, ka thënë ajo.

Sipas saj, një apel i ndërmjetëm në këtë etapë nuk do ta dërgonte përpara procedurën, por do ta vononte ndjeshëm.

“ZPS ka mbrojtur gjithmonë idenë se ky proces gjyqësor duhet të mbyllet sa më shpejtë”, tha ajo, ndërsa kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith II tha se do ta shqyrtojnë kërkesën dhe do të vendosin.

Gjykatësi Charles L Smith II tha se në agjendë i kanë ftuar palët që të mendojnë për parashtrimin për të pranuar në prova gjyqësore, ku disa materiale të caktuara janë përdorë në gjykatë, por nuk janë kërkuar të pranohen ose janë vënë në listë, por nuk janë përdorur në gjykatë.

Prokurorja Bolicci tha se mbrojtjes që më 21 janar i kanë shprehur gatishmërinë për t’i pasur në prova të gjitha këto materiale.

“ZPS mban qëndrimin se ato pjesë të atij aktgjykimi janë në procesverbal dhe nëse pranimi i aktgjykimit është i nevojshëm për të parë që janë cituar saktë pjesët e aktgjykimit dhe ekziston i njëjti, atëherë duhet të pranohet në prova gjyqësore”, ka thënë ajo, duke iu referuar aktgjykimit të TPNJ-së për rastin Haradinaj.

Mbrojtja e Gucatit ka thënë se pyetjet e Boliccit nuk janë prova dhe e të vetmet prova aty vijnë nga ajo pjesë që janë përgjigje të dëshmitarit.

“Ne nuk kërkojmë parashtrim të deklaratës të kryeprokurorit të 2014, nuk e kemi përdorë dhe nuk kemi kërkuar të pranohet në provat gjyqësore përmes asnjë dëshmitari”, ka thënë ai.

Sipas tij, sa i takon aktgjykimit të Haradinaj është pranuar tashmë përmes një urdhri të dhënë gojarisht të premten.

“Vetëm një ekzaminim i kujdesshëm i asaj pjese ka të bëjë me fjalinë e parë. Kjo është një koment që ka të bëjë në mënyrë specifike me ata individë që kanë dhënë dëshmi në çështjen 1805-2005. Pjesa tjetër e lexuar nga Bolicci ishte riciklim i një tjetër çështje gjyqësore. Mbrojtja nuk ka pasur mundësi të prapësojë ndonjë pjesë të kësaj deklarate nëse ka qenë apo jo e saktë sa i takon 2006-ës. Kjo nuk mund të themi se mund të jetë provuese për frikësim të dëshmitarëve”, ka thënë Reese.

Tutje, u tha se vërehet se ZPS ka thënë se me gjasë nuk do të kërkojë të marrë leje për të paraqitur kundërprova, e prokurorja Bolicci e ka konfirmuar këtë.

Mbrojtja e Gucatit deklaroi se kanë kërkuar ndonjë periudhë më të gjatë se 21 ditë deri në 30 ditë për paraqitjen e dosjes përfundimtare, duke pas parasysh shkurtimin e periudhës për deklaratat përmbyllëse.

“Ato që do t’i kërkonim trupit gjykues është të mendojë për vendosjen e një afati paraprak disi më të gjatë për deklaratat përmbyllëse dhe në bazë të kësaj të vendosen afatet e tjerë”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo u propozua paraprakisht nga ZPS pa i bërë njoftim paraprak mbrojtjes dhe se janë pajtuar se mbase është e mundshme ta përmbushin këtë afat 21 ditor.

“Në atë moment mbyllja e paraqitjes së provave parashikohej të ishte 17 dhjetori por kjo u shty më 2 dhjetor për 17 janar, pastaj u shty prapë dhe jemi sot në këtë datë. Kemi që më 18 dhjetor, të gjitha palët mendonin se do të ishim gati me të gjitha këto më 2 dhjetor. Kjo kërkon një shkallë të madhe të rilexojmë transkriptet dhe bëjmë analizat përkatëse dhe të vëmë në punë edhe kërkesën tonë”, tha avokati Reese.

Ai tha se një afat më i gjatë se 21 ditët e propozuara më 2 dhjetor do të ishte më e përshtatshme.

Tutje, prokurorja tha se shtyrja e procedurës nënkupton vonesa dhe është në dëm të pandehuri e se ZPS mendon se duhet të procedohet brenda afatit 21 ditor pas mbylljes së çështjes.

Gjykatësi tha se sa i takon deklaratave përmbyllëse, në konferencën e përgatitjes së mbrojtjes janë dhënë afatet, por megjithatë në parashtrimet me shkrim të dy ekipet e mbrojtjes rishikuan vlerësimet e përafërta, mbrojtja e Haradinajt ka kërkuar 14 ditë, ndërsa mbrojtja e Gucatit kërkoi 21 ditë.

Prokurorja Bolicci tha se fillimisht kanë menduar se u duhen katër orë për prezantimin e deklaratës përmbyllëse dhe vlerësojnë se do ta zbatojnë këtë kohë nëse nuk ka diçka të paparashikuar.

Kurse, avokati Reese tha se sa i takon kohës që kërkohet në parashtrimin e tyre përfundimtar, nuk kanë kërkuar 21 ditë, por se kanë kërkuar javën e 14 marsit për deklaratat përmbyllëse dhe kanë kërkuar që llogaritjen ta bëjnë mbrapsht nga ajo datë për dosjen përfundimtare.

Ai tha se kanë vlerësuar se për deklaratën përmbyllëse u duhen 9 orë për ta parashtruar të njëjtën.

Kurse, avokati Toby Cadman ka thënë se do t’iu nevojitet gjysmë dite dhe jo më shumë se sa dy sesione për ta parashtruar deklaratën përmbyllëse.

Tutje, avokati Reese tha se mendon se Gucati nuk është fajtor për asnjë prej veprave për të cilat ai akuzohet.

“Fakti që na është kërkuar të trajtojmë mundësinë e dënimit për një ose më shumë vepra penale, pjesërisht demonstron apo kështu të paktën e kuptojmë ne, jemi jo në pozicion të favorshëm që të trajtojmë dënimin dhe për këtë arsye, ne po mendojmë për të bërë parashtrime për lehtësimin para se të jepet gjykimi. Do të kërkoja nga trupi gjykues të shqyrtojë me kujdes këtë parashtrim”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk ka asnjë rrethanë që trupi gjykues mund të ushtrojë të drejtën e tij për të marrë vendimin menjëherë dhe ka propozuar një skenar kur do të ishte e përshtatshme.

“Një skenar tjetër do të ishte kur kemi të bëjmë me një akuzë të vetme, në një moment të tillë mund të parashikohet me çka po merret mbrojtja sa i takon një pike në aktakuzë. Gucati ka një aktakuzë që përmban gjashtë pika dhe si e keni vënë re më parë, ka shumë baza të shumëfishta alternative përgjegjshmërie që janë parashtruar nga prokuroria”, tha ai.

Tutje, tha se sa i takon veprave penale që rrjedhin nga Kodi Penal i Kosovës, do të duhet të ketë parashtrime të detajuara përfshirëse sa i takon përbërëse ligjor sa i takon këtyre veprave.

“Do të duhet të përcaktohen ende dhe vlerësohen nga trupi gjykues. Ne nuk do të marrim vendimin e trupit gjykues sa i takon fushës së veprimit për secilën prej veprave dhe në këtë aspekt ka pasiguri ashtu sa i takon disa pikave dhe numrit alternativ të bazave të përgjegjësisë së pretenduar. Ne parashtrojmë se nuk është e drejtë të kërkohet të parashtrojmë një reflektim të detajuar për secilën prej bazave ose pikave që janë përshkruar në aktakuzë”, tha ai.

Tutje shtoi se kur trupi gjykues dëgjon deklaratat përmbyllëse është drejt fundit të procesit gjyqësor dhe në këtë pikë është në gjendje të vlerësojë a është fajtor apo jo.

“Ndërkohë të akuzuarit janë në paraburgim dhe kanë qenë të mbajtur në paraburgim për periudhë të gjatë. Ne nuk është se duam të kundërshtojmë vendimin e gjykatës, të trupit gjykues, por nga ana tjetër mendojmë që në këtë situatë koha kur i akuzuari do të mbahet i paraburgosur do të zgjatet më tepër. E gjithë kjo që thash është situatë hipotetike”, ka thënë avokati Reese.

Avokati Reese tha se parashtrimi parësor i tyre është që për shkak se çështja e Gucatit ose aktakuza ndaj tij ka të bëjë me gjashtë pika dhe baza të shumëfishta përgjegjësie kërkojnë nga trupi gjykues të mbështetet në rregullat 102 dhe 124. / Gazeta Enigma.

Related Articles