S’ka ngritje të çmimit të ujit në Kosovë, mbetet i njejtë deri në fund të vitit

S’ka ngritje të çmimit të ujit në Kosovë, mbetet i njejtë deri në fund të vitit

Shtrenjtimi i produkteve të konsumit, ka krijuar efekt zinxhiror të ngritjes së çmimeve edhe të shërbimeve.

Janë paralajmëruar edhe ngritje të çmimeve të shërbimeve publike që i marrin qytetarët e Kosovës. Por, ngritja e çmimit të furnizimit me ujë nuk do të ndodh të paktën deri në fund të këtij viti.

Nga Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) kanë thënë për Albanian Post se tarifat e vitit 2021 janë caktuar në dhjetor të vitit 2020, duke shtuar se “konfirmojmë me kompetencë, se tarifat nuk ndryshojnë deri më 31 dhjetor të vitit 2021”.

Sipas ARRU-së, janë duke përgatitur procesin e tarifave për vitet e ardhshme.

“Aktualisht ARRU është duke përgatitur procesin tarifor për vitet 2022-2024, ku caktohen tarifat e ujit dhe të ujërave të ndotura për 3 vitet e ardhshme, dhe obligim ligjor i yni është që tarifat të jenë të drejta dhe të arsyeshme të cilat mundësojnë përballueshmërinë e faturës së ujit nga konsumatori dhe njëherësh qëndrueshmërinë financiare të kompanive të ujësjellësit”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Tarifat përcaktohen në bazë të kërkesës për të hyra të kompanive të ujësjellësit dhe kritereve të përcaktuar nga ARRU-ja.

Por, gjithashtu nga ARRU thonë se do të ketë edhe diskutime publike për tarifat pas vitit 2021.

“Ne jemi në fazën e shqyrtimit të aplikacioneve që kanë dorëzuar të gjitha kompanitë e ujësjellësit në Kosovë, dhe së shpejti do të ketë diskutime publike për tarifat e viteve 2022-2024, ku në fund të dhjetorit 2021 ky proces do të finalizohet.

ARRU është e përkushtuar që çmimet e shërbimeve për ujë dhe ujëra të ndotura, të mos rriten as në tre vitet e ardhshme, përveç rasteve kur hynë në funksion Impiantet e Trajtimit të Ujërave të zeza, të cilat e rrisin koston e shërbimeve”.

Ky institucion premton transparencë për çmimet e reja.

“Tarifat (çmimet) finale të viteve 2022-2024 do të publikohen në ueb faqen zyrtare të ARRU-së”, kanë thënë nga ARRU-ja.

Ndryshe, në bazë të Ligjit 05/L-042 për Rregullimin e Shërbimeve të Ujit, Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) është i vetmi institucion përgjegjës për caktimin e tarifave (çmimeve) të shërbimeve të ujësjellësit dhe ujërave të ndotura në tërë Kosovën.

Related Articles