Një përfundim i tensionuar i shoqëroi përballjen dramatike mes Bodo/Glimt dhe Union Saint-Gilloise, me norvegjezët që siguruan kualifikimin në play-off të Ligës së Kampionëve pas një fitoreje 3-2 në kohën shtesë.
Pas ndeshjes, situata u përshkallëzua edhe jashtë fushës. Sipas portalit norvegjez “Bodo Nu”, një futbollist i Union SG dyshohet se ka goditur me grusht në fytyrë një punonjës të administratës së Bodo/Glimt në tunel. Sipas të njëjtit raportim, punonjësi nuk ka pësuar lëndime.
Gazeta norvegjeze “VG” raportoi për incidentin dhe kërkoi qëndrimin e Bodo/Glimt. Zëdhënësi i klubit, Simen Pedersen, nuk pranoi ta konfirmonte apo mohonte rastin.
“Ne nuk do të komentojmë për këtë”, deklaroi Pedersen për “VG”.
Ai gjithashtu bëri të ditur se Bodo/Glimt nuk e ka raportuar incidentin në UEFA, pasi në vendngjarje ndodhej delegati i UEFA-s.
“UEFA ka delegatin e saj, i cili ishte aty ku ndodhi gjithçka dhe ndoshta e ka parë të gjithë situatën. Ai përgatit raport pas çdo ndeshjeje, pavarësisht se çfarë ndodh, kështu që presim që ajo që ka parë të përfshihet në raportin e tij”, shtoi ai.
Ndërkohë, UEFA i ka konfirmuar “VG”-së se raportet zyrtare nga ndeshjet e së martës janë duke u shqyrtuar, ndërsa nuk ka dashur të japë detaje të tjera. Edhe Union Saint-Gilloise është kontaktuar nga mediumi norvegjez, por klubi belg nuk kishte kthyer përgjigje në kohën e publikimit.
Tensionet nisën para se lojtarët të arrinin në dhomat e zhveshjes
Sipas gazetarëve të “VG” që ndodheshin në stadium, përplasjet kishin nisur gjatë rrugës drejt dhomave të zhveshjes.
Një futbollist i Union SG ishte irrituar nga gjestet e një tifozi vendas. Lojtari dyshohet se tentoi të afrohej drejt tribunës, por u ndalua nga pjesëtarët e sigurimit. Pas kësaj, tensionet vazhduan në drejtim të tunelit.
Pas përfundimit të takimit, Pedersen kishte folur për një atmosferë të tensionuar, duke theksuar se skuadra belge ishte shumë e pakënaqur me vendimet e gjyqtarit. Në atë moment, ai tha se, sipas informacionit që kishte, nuk kishte pasur goditje.
Një ditë më vonë, pas raportimeve për grushtin e dyshuar, klubi norvegjez zgjodhi të mos komentojë më tej.
Në aspektin sportiv, Bodo/Glimt siguroi kualifikimin falë një goli të shënuar në fund të kohës shtesë. Ndeshja e parë në Belgjikë kishte përfunduar 3-3, ndërsa norvegjezët fituan 3-2 në shtëpi dhe kaluan tutje me rezultat të përgjithshëm 6-5.
Union Saint-Gilloise do të vazhdojë garat në Ligën e Evropës, ndërsa Bodo/Glimt do të përballet me NEC Nijmegen në play-off-in e Ligës së Kampionëve.
