Skandali financiar i ambasadorit Berishaj, kërkohet shkarkimi i tij i menjëhershëm

Skandali financiar i ambasadorit Berishaj, kërkohet shkarkimi i tij i menjëhershëm

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj është përfshirë në një skandal të madh financiarë ky është i përfshirë Robert Golob, Kryetar i Partisë së Lirisë i cili është kandidat për kryeministër të Sllovenisë, shkruan Gazeta Enigma.

Mediat sllovene kanë raportuar se ambasadori Martin Berishaj dyshohet se i ka bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi te politikani slloven Robert Golob.

Televizioni slloven, Planet TV, ka raportuar se mbi gjysmë milionë euro ishin bartur prej Malit të Zi në Slloveni e rolin e transportuesit të parave e kishte kryer ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj.

Televizioni slloven, tregon se në xhirollogarinë MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe, janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MP Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.

Berishaj më pas i tërhiqte ato para nga xhirollogaria e kompanisë së tij fiktive dhe fizikisht ia dorëzonte politikanit slloven.

Më pas ai i investonte në disa fonde që thuhet se janë italiane dhe janë të qasshme nga përdorues anonimë.

Televizioni slloven ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

Pas publikimit të këtyre shkrimeve ka reaguar edhe Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj duke i mohuar akuzat përmes një shkrimi ne Facebook.

“Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshëm në mes akterëve kryesorë politik, i z. Janša dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet tv lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kundër portalit ne fjalë, hap rrugë për fjalën e fundit gjykatës”, thuhet në reagimin e ambasadorit Martin Berishaj.

PRESIDENTJA OSMANI I DEL NË MBROJTJE AMBASADORIT MARTIN BERISHAJ

Presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për media i ka dalë në mbrojtje ambasadorit Martin Berishaj, duke thënë se ambasadori do t’i ndjek rrugët ligjore.

“Kjo s’është pyetje, është konstatim. Është për keqardhje se si ju konstatoni një gjë për një ambasador të Republikës së Kosovë se cila nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë, por është shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do t’i ndjekë rrugët ligjore”, është shprehur Osmani në konferencë.

Osmani ka potencuar se i beson ambasadorit Berishaj dhe e presin vendimin e organit të drejtësisë.

“Ne i besojmë ambasadorit të Republikës së Kosovës. Të gjithë bashkërisht e presim vendimin e organit të drejtësisë”, shtoi Osmani.

Ndërkohë Osmani tha se e ka dekretuar si ambasador, meqë ka qenë në kompetencën e saj.

“Normalisht që e kam dekretuar si ambasador dhe me shtetësi, sepse është në kompetencë timen, sepse ka vepruar në përputhje me ligjin”, ka thënë Osmani.

KËRKOHET SHKARKIMI I MENJËHERSHËM I AMBASADORIT MARTIN BERISHAJ

Drejtori ekzekutiv i Organizatës Çohu, Arton Demhasaj, në një bisedë për Gazetën Enigma ka thënë se pavarësisht se a janë të vërteta akuzat për ambasadorin Berishaj, ai duhet të jap dorëheqje.

“Këto janë çështje fjalësh dhe nuk ka ndonjë fakt bindëse për me vërtetu pretendimet që janë dalur në media të Sllovenisë, kshtu që në rast del cilido pretendim i vërtetë mendoj që minimumi që ish dashtë më ndodhë, ish dashtë menjëherë ambasadori me jap dorëheqje, por normalisht edhe me u pa mundësia e hetimit penal për shkak se nëse vërtetohet kjo ai i ka shkaktuar shumë dëm Kosovës, po thom gjithmonë nëse vërtetohet”, thotë Arton Demhasaj për Gazetën Enigma.

Demhasaj thotë se nëse vërtetohen akuzat për ambasadorin Berishaj, atëherë është një goditje e rëndë për imazhin e Kosovës në aspektin diplomatik.

Ai shton se Berishaj duhet të jap dorëheqje për shkak se ndikon keq në imazhin e Kosovës.

“Nëse vërtetohet kjo është kogja një goditje e rëndë për imazhin e Kosovës, sidomos kur flasim stafin diplomatik. Nëse flasim për një ambasador i cili shkon me përfaqësu shtetin e Kosovës edhe në një mënyrë vet fakti që në atë shtet që ai e përfaqëson Kosovën ka filluar të flitet në mas të madhe nëpër media për skandalin në fjalë, që mbetet ende i pa vërtetuar, mendoj që ish dasht me jap dorëheqje, për faktin se kjo mund të ndikoj negativisht për Kosovën”, thotë Demhasaj.

Demhasaj thotë se presidentja Vjosa Osmani dhe Ministria e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla duhet të bisedojnë me ambasadorin Berishaj për t’ia kërkuar dorëheqjen.

“I kemi parë që ditëve apo muajve të fundit janë shkarkuar ambasador nga shumë vende me më pak dëmtim të imazhit të sistemit diplomatik të Kosovës, dhe në këtë rast presidentja dhe ministrja e jashtme duhet të komunikojnë me ambasadorin, dhe pastaj ose për t’i kërkuar dorëheqje morale pa marrë masa ndaj tij.Duhet të ketë reagim edhe nga presidentja edhe nga ministrja e jashtme, pavarësisht që ende nuk është vërtetuar sepse vetëm fakti që po flitet për ambasadorin nëpër media, kjo mund të ndikoj për prishjen e imazhit të Kosovës”,  potencon ai.

Analisti politik Arton Demhasaj

Analisti Imer Mushkolaj thotë se duhet të shkarkohet menjëherë ambasadori Martin Berishaj derisa organet përkatëse të marrin vendimin përfundimtar.

“Nuk ka veprim tjetër përveç që me e shkarku prej pozitës, kjo nuk nënkupton që ambasadori është fajtor dhe duhet me i lanë hapësirë organeve përkatëse me e marrë një vendim. Por deri sa të merret vendimi ambasadori duhet me u shkarku menjëherë në këtë mënyrë publikut, qytetarëve iu tregohet se kjo qeverisje po e zbaton atë standardin ose ato standarde të cilat i ka proklamu sa kanë qenë në opozitë dhe po ashtu do të nënkuptonte se secili diplomat i cili përflitet për keqpërdorime të mundshme, sado të parëndësishme ose sado të vogla të jenë ato duhet me u largu nga pozita derisa organet përkatëse të vendosin për pretendimet e ngritura”, thotë analisti Imer Mushkolaj për Gazetën Enigma.

Mushkolaj ka kritika për reagimin e presidentes Vjosa Osmani e cila i doli në mbrojtje ambasadorit Martin Berishaj. Ai thotë se Osmani duhet ta shkarkojë menjëherë ambasadorin Berishaj, pa marrë parasysh se ende nuk është vërtetu prej organeve përkatese nëse është fajtor ambasadori Berishaj.

“Vjosa Osmani tha i besoj zotrit Berisha në atë çka ai  ka thënë, por në vend që të jep deklaratë të tillë, Vjosa Osmani do të duhej menjëherë ta shkarkojë ambasadorin,  jo pse ai është fajtor, për shkak se kjo nuk është vërtetu ende prej organeve përkatese, por duhet ta marrë këtë vendim ta shkarkoj derisa organet përkatese të vendosin derisa pretendimet janë të sakta apo nuk janë të sakta”, thotë Imer Mushkolaj.

Ai thotë se nëse presidentja Osmani dhe ministria Gërvalla nuk e shkarkojnë ambasadorin Martin Berishaj e dëmtojnë diplomacinë kosovare.

“Nëse presidentja Osmani dhe ministrja Gërvalla nuk e ndërmarrin një hap të tillë, atëherë në këtë mënyrë vetëm sa do ta dëmtojnë diplomacinë edhe ashtu të dëmtume me plotë skandale të Kosovës dhe vet shtetin e Kosovës”, thotë ai.  

Ai thotë se çdo përpjekje për ta mbrojtur ambasadorin Berishaj, ashtu siç bëri sot presidentja  Osmani është e dëmshme për Kosovën.

“Natyrisht se është dëm për diplomacinë kur mediat raportojnë se një ambasador i Kosovës dyshohet se është i përfshirë në një skandal të madh financiar përtej mos dhënies ende të vërdiktit nga organet e drejtësisë, megjithatë ambasadori Berisha duhet të shkarkohet menjëherë nga detyra dhe përkatëse duhet të vendosin. Çdo përpjekje për me e mbrojt dhe me e arsyetu ambasadorin siç bëri sot presidentja Osmani është e dëmshme”, thotë ai.

 “Le ta shkarkojnë menjëherë, pastaj do të vendosin organet e drejtësisë, nëse organet e drejtësisë vendosin se zotri Berishaj nuk ka gisht në skandalin të cilin po raportohet mund të kthehet sërish në post, mirëpo jo që të arsyetohet në këtë mënyrë siç bëri presidentja Osmani duke thënë se ne i besojmë ambasadorit tonë. Veprimi më i duhur është shkarkimi i tij”.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti në një bisedë për Gazetën Enigma ka thënë se shteti i Sllovenisë duhet të merret ligjërisht me çështjen e ambasadorit Martin Berishaj, pasi ky i fundit është shtetas slloven.

“Në radhë të parë është shtetas i sllovenisë dhe nëse është i implikuar sllovenët duhet ta trajtojnë këtë çështje ligjërisht”, thotë ai për Gazetën Enigma.

Halitaj thotë se Berishaj duhet të jap dorheqje vet ose të merren masa nga ministrja Donika Gërvalla për ta shkarkuar atë.

“Por, të paktën do të duhej të jepte dorëheqje ose kryeministri ose ministrja e jashtme duhet të veprojë për ta shkarkuar ose dënuar në variantin e tyre. Çdo njeri që bënë veprim kundërligjor, veçanërisht ata që janë në pozitë si deputetë, ministra e ambasador. Këta janë eshaloni i parë të cilët mund komrpomintu vendin dhe përparu vendin”, thotë Xhavit Haliti./GAZETA ENIGMA/

Related Articles