Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, ndaj katër të pandehurve që u arrestuan dje gjatë bastisjeve në të gjithë vendin si pjesë e një hetimi kundër dy ish-drejtuesve të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), të cilët dyshohen për keqpërdorime që i kanë shkaktuar dëme byrosë në vlerë mbi 1 milion euro.
Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prizren të caktojë masën e paraburgimit për ish-drejtorin ekzekutiv të BKS-së, Sami Mazreku, ish-drejtorin e Financave, Valon Berisha, si dhe F.S., dhe Y.Ç.,
Ndërkaq, për 35 të pandehurit e tjerë, Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës ‘Paraqitja në Stacion Policor’ dhe’ Ndalimin’ për t’iu ofruar vendit ose personit të caktuar.
Gjyqtari i procedurës paraprake, ka caktuar seancën dëgjimore në ora 16:00, tha Gjykata Themelore e Prizrenit në një komunikatë për mediat.
Pas përfundimit të kësaj seance, gjykata tha se do të njoftojë publikun me vendimet e gjyqtarit të procedurës paraprake.
