SKANDALOZE: Punëtorët e varrezave hapin varrin gabimisht në Gjilan, 11 ditë qëndron i pambyllur

SKANDALOZE: Punëtorët e varrezave hapin varrin gabimisht në Gjilan, 11 ditë qëndron i pambyllur

Për 11 ditë radhazi qëndroi hapur varri i cili fillimisht ishte hapur gabimisht nga punëtorët e varrezave në Komunën e Gjilanit, të cilët po kërkonin një vend për varrosjen e një personi të sapo vdekur, shkruan Gazeta “Enigma”.

Në fotot e para shihet varri i pambuluar, teksa Enigma ka vizituar varrezat pas 11 dite dhe gjendja ishte njësoj. Varri kishte mbetur i hapur.

Foto – 19/08/2023

Pas kësaj Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me Bashkësinë Islame në Gjilan, e vetëm atëherë varri është mbyllur, me 11 ditë vonesë.

Foto të realizuara më 30/08/2023

E për gjithë këtë, Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, fajin e hedh tek mungesa e parcelës për varreza në Komunën e Gjilanit, për cka thotë se janë ankuar tash e sa vite në dyert e Komunës.

“Vende për hapjen e varreve më nuk ka, nuk mund të gjendet më asnjë parcel që ka vend për varreza që ka vend për varreza të reja”, tha ai.

Aliu tutje ka shtuar se në lidhje me rastin është njoftuar nga Gazeta “Enigma” dhe se nuk ka qenë i informuar më parë që ka ndodhur e gjithë çështja.

“Dje kam qenë i informuar prej juve në lidhje me rastin. Unë nuk kam qenë gjithmonë në krye të Bashkësisë Islame në Gjilan por edhe kur kam punuar më herë në këshill kemi quar kërkesa prej kohës së Qemajl Mustafës që nuk ka vend për varreza”, ka deklaruar Aliu për “Enigmën”.

Sipas tij sigurimi i një parcele për varreza janë përgjegjësi komunale.

“Sigurimi i vendit për varreza është në kometencë të Komunës, ku ne përmes një kontrate kryejmë punë aty. Varrezat janë përgjegjësi komunale. Edhe kryetarët e mëhershëm para Alban Hysenit të gjithë kanë qenë të informuar që nuk ka vend më për varreza”, ka deklaruar ai.

“Nga komuna i është thënë se janë në bisedime për sigurimin e një parcele për varreza”, tha Aliu.

Për Gazetën “Enigma”, në kushte anonimiteti ka folur edhe njëri nga punëtorët e varrezave i cili ka bërë të ditur se aktualisht për qytetin e Gjilan dhe fshatrat për rreth janë vetëm dy punëtor për hapjen e varrezave.

Gazeta “Enigma” fillimisht ka kontaktuar edhe me zyrtar komunal nga Komuna e Gjilanit ku këta të fundit kanë thënë se pyetjet në lidhje me këtë temë duhet drejtuar në Bashkësinë Islame në Gjilan.

Kujtojmë se në korrik të vitit 2018 kryetari i Komunës së Gjilanit në atë kohë Lutfi Haziri, pati njoftuar se kryeministri i asaj kohe Ramush Haradinaj, ka aprovuar kërkesën e Komunës së Gjilanit për kthimin në pronë të Komunës të parcelave, me qëllim të sigurimit të lokacionit të ri për varrezat e qytetit në Velekincë.

“Me miratimin e kësaj kërkese nga ana e qeverisë tashmë kemi bërë zgjidhje për varrezat e qytetit për 100 vitet e ardhshme”, ka thënë Haziri.

Sipas këtij njoftimi lokacioni i ri i varrezave të qytetit do të kishte sipërfaqe prej afro 11 hektarëve.

Përveç Komunës së Gjilanit ka edhe shumë komuna tjera në vend që janë duke u ballafaquar me problemin e njëjtë, pra sigurimin e një parcele për varreza. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles