“Ditëve në vijim do të publikohen masat e reja të Qeverisë për çmimet e larta të produkteve esenciale. Njëra ndër to, do të jetë punësimi, në mënyrë që të ketë së paku nga një të punësuar për familje”.
Fillimisht, kjo ishte premtimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që po kritikohet nga ekonomistët dhe skena politike, ani pse qëllimi ishte në të mirë të qytetarëve të vendit.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala tha se deri në këto momente nuk shohin asnjë masë, përveç deklarimeve të kryeministrit në lidhje me punësimin e një anëtari të çdo familjeje.
Ai shprehet i gëzuar nëse kryeministri Kurti do t’i mbajë premtimet. Por, sipas tij duke u nisur nga e kaluara e tij, nga e cila praktikisht nuk e ka mbajtur asnjë premtim.
Ndërsa, ekomonisti Mustafë Kadrijaj thotë se Kurti nuk e ka të qartë ekonominë e tregut dhe që Kosova është orientuar drejtë ekonomisë së tregut që vepron ligji i kërkesës dhe ofertës
Kadrijaj thekson punësimi nuk mund të bëhet me një buton apo thjesht të përzgjedhë se kënd ta punësoj, por sipas tij punësimi është ai që vepron në oferta dhe kërkesa.
“Tek masat e tjera qeveritare që po tenton dhe po vlerëson se do t’i aplikojë tek punësimi, Kurti nuk e ka të qartë ekonominë e tregut dhe Kosova që është orientuar drejtë ekonomisë së tregut që vepron ligji i kërkesës dhe ofertës”, tha Kadrijaj për Gazetën Enigma.
“Punësimi nuk mund të bëhet me një buton apo thjesht të përzgjedh se kënd ta punësojë, por thjesht punësimi është ai që vepron në oferta dhe kërkesa. Në këtë drejtim as në sektorin publik nuk mund të ndikoh siç po pretendon t’i përcaktojë”, shtoi ai.
Mes tjerash, Kadrijaj thotë se duket që Kurtit nganjëherë i pëlqejnë tregimet dhe përrallat dhe vlerëson që qytetarët e Kosovës t’i fut në gjumë përmes këtyre tregimeve të bukura, por që nuk realizohen. Sipas tij, kjo për faktin se nëse kryeministri Kurti dëshiron të krijojë mundësi për punësim, duhet përmes investimeve qeveritare të krijohet një mundësi që të hapen portofoli qytetari.
“Së pari është në kundërshtim me ekonominë e tregut dhe është një mentalitet majtist. Kryeministri Kurti duket nganjëherë se thjesht i pëlqejnë tregimet dhe përallat dhe vlerëson që qytetarët e Kosovës t’i fut në gjumë përmës këtyre tregimeve të bukura, por që nuk janë të realizushme”, tha ndër të tjera ai.
“Kjo për faktin që nëse kryeministri Kurti dëshiron të krijojë mundësi për punësim duhet përmes investimeve qeveritare të krijohet një mundësi që të hapën portfoli qytetari dhe të bëhen investime kapitale të cilat do të ndikonin në zhvillim ekonomik dhe kështu në mënyrë të natyrshme krijohet mundësi për punësim”, thekson ai.
Por, sipas tij nëse Kurti vlerëson që përmes vendimeve arbitrare, përmes qeverisë dhe menatlitetit të tij nuk do t’ia arrijë dhe do të rëndojë edhe më shumë jetën e qytetarit dhe ekonominë në vend.
Masat që do t’i propozojë Qeveria, do ta lehtësojnë apo rëndojnë ekonominë e vendit?
Sipas Kadrijajt ligji i tregut është ai i cili do ta përcaktojë, mirëpo kryeministri vetëm duhet ta përcjëllë trendin botërorë dhe shtetet të cilat po tentojnë të tejkalojnë krizën.
“Ligji i tregut është ai i cili do ta përcaktojë, mirëpo kryeministri vetëm duhet t’i përcjell trendin botërorë dhe shtetet të cilat po tentojnë të tejkalojnë krizën përmes vendimeve që përkojnë me ekonominë e tregut, por nëse vlerëson që se me vendime arbitrare dhe me mentalitet të viteve të 70-ta do ta rëndojë më shumë ekonominë e vendit”, tha Kadrijaj.
Cilat do të ishin masat e duhura që Qeveria duhet t’i propozojë?
Arian Zeka nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë për Gazetën Enigma se korniza aktuale ligjore i mundëson Qeverisë së Kosovës të ndërmarrë një sërë masash fiskale të cilat mund të lehtësojnë barrën e qytetarëve të vendit në rrethanat aktuale të rritjes së kostos së jetesës.
Sipas tij, këtu përfshihet edhe ulja e normës së TVSH-së, ose heqja e TVSH-së për një gamë më të gjerë të produkteve esenciale kryesisht ushqimore, por edhe atyre të produkteve të tjera të konsumit ditor.
Mes tjerash, si masë për të lehtësuar krizën ekonomike, Zeka vlerëson se është edhe ulja e akcizës për karburante, duke e ditur kështu koston aktuale të furnizimit.
“Korniza aktuale ligjore i mundëson Qeverisë së Kosovës ndërmarrjen e një sërë masave fiskale të cilat mund të lehtësojnë barrën e qytetarëve të vendit në rrethanat aktuale të rritjes së kostos së jetesës. Këtu, përfshihet edhe ulja e normës së TVSH-së, ose heqja fare e TVSH-së për një gamë më të gjerë të produkteve esenciale, kryesisht ushqimore, por edhe produkteve të tjera të konsumit ditor. Po ashtu, mund të konsiderohet edhe ulja e akcizës për karburante, duke e ditur koston aktuale të furnizimit me to”, shtoi Zeka.
Megjithatë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të përfshihet në dialog më të gjerë me hisedarë politikë e jopolitikë, ashtu që të mund të diskutohen bashkërisht ide të tjera të cilat adresojnë krizën aktuale ekonomiko-sociale.
Ndërsa, deputeti Shala thotë se nuk ka asnjë masë që do ta lehtësonte krizën ekonomike.
Si rezultatë i kësaj, ai inkurajon që të ketë masa dhe paketë ekonomike mbështetëse e cila do ta ndihmoentë ekonominë e vendit ta përballonte këtë krizë.
“Këto masa do të mund të ishin duke pasur një qartësi politike, një qartësi zhvillimore ekonomike, një qartësi të rrethanave aktuale që ndodhet Kosova sa i përket sferës ekonomike, një qartësi shumë më të madhe të politikave fiskale dhe në përgjithësi rreth politikave importuese të cilat shumica janë para një situate të rëndë të ekzistencës së tyre”, tha Shala për Gazetën Enigma.
Premtimi që dha dje kryeministri Kurti, menjëherë sot u hap aplikimin për skemën ‘Qeveria për Familjet’. Kjo skemë synon punësimin afatgjatë të punëkërkuesve që nuk kanë asnjë anëtar të familjes të punësuar.
Përmes një njoftimi për media MF-ja ka publikuar kushtet që duhen plotësuar si bizneset ashtu edhe punëkërkuesit për të përfituar nga kjo skemë.
Kushtet për aplikim nga punëkërkuesit:
-T’i përkasin grup moshës 18-64 vjeçare;
-Të mos kenë asnjë anëtar të familjes të punësuar;
-Të jenë të regjistruar si të papunë/ punëkërkues në Agjencinë e Punësimit (APRK).
Kushtet për aplikim nga punëdhënësit:
-Bizneset të jenë të regjistruara dhe aktive në Administratën Tatimore të Kosovës;
– OJQ-të të jenë të regjistruara dhe aktive në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Mënyra e subvencionimit:
-Kompenzimi për punëdhënësin: 70% e pagës bruto (maksimumi 300 euro subvencionim nga Qeveria për punëtor);
-Personat e angazhuar përmes kësaj skeme nuk duhet të përbëjnë më shumë se 30% të stafit ekzistues të biznesit.
“Për ndihmë dhe informata në procesin e aplikimit drejtohuni në Zyrën e Punësimit të komunës suaj. Adresën e Zyrës së Punësimit në komunën tuaj, mund ta gjeni në faqen e APRK-së”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Kosova është përballur me rritje çmimesh të produkteve dhe shërbimeve nga fundi i vitit të kaluar, kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.
Çmimet janë rritur edhe më, pasi Rusia ka nisur luftën në Ukrainë, në fund të shkurtit.
Sipas Agjencisë së Statistikave, papunësia në Kosovë është mbi 25 për qind.
Të dhënat e fundit të ASK-së për tregun e punës tregojnë se nga mbi një milion qytetarë në moshë pune në Kosovë, mbi 350 mijë janë të punësuar, ndërsa mbi 120 mijë janë të papunë.
Sipas ASK-së, rreth 750 mijë qytetarë janë ekonomikisht joaktivë, që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë. /Gazeta Enigma/.