Ministriat e Punëve të Brendshme të Bashkimit Evropian që e trajtojnë çështjen e liberalizimit të vizave, nuk e kanë në agjendë Kosovën në takimin e tyre më 9 dhe 10 qershor.
Çështja e liberalizimit të vizave vazhdon t’i mbajë të izoluar qytetarët e Kosovës, derisa raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon fajin për këtë ia hedh Francës dhe Holandës.
“Liberalizimi i vizave është ende i bllokuar nga një pakicë e vogël në Këshill – vetëm Franca dhe Holanda. Kjo është jo vetëm e padrejtë, por edhe shumë problematike për besueshmërinë dhe pozitën e BE-së në rajon”, ka thënë Von Cramon për Gazetën Enigma.
Mes tjerash, Von Cramon bëri të ditur se po punohet në këtë drejtim për të lëvizur gjërat në Paris dhe Amsterdam, duke u shprehur njëkohësisht optimiste që përfundimi i procesit zgjedhor frances do t’i lejojë të lëvizin shpejt në lidhje me këtë çështje.
“Ne po punojmë shumë për të lëvizur gjërat në Paris dhe Amsterdam dhe shpresojmë që përfundimi i procesit zgjedhor francez do të na lejojë të lëvizim shpejt në këtë çështje. Jam e vetëdijshëme se është një çështje polarizuese në Francë, por presim që lidershipi i presidentit Macron të mbizotërojë dhe t’i japë Kosovës liberalizimin e vizave të vonuara prej kohësh”, ka shtuar ajo.
Von Cramon tha se Kosova fatëkeqësisht mbetet i vetmi vend në rajon, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë në zonën Shengen pa kaluar nëpër procedurën e komplikuar dhe të kushtueshme të marrjes së vizës.
Sipas saj, Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat për liberalizim të vizave, duke konfirmuar se këto kërkesa ishin më të rrepta se për shumicën e shteteve të tjera.
Si përfundim, Von Cramon tha se “Parlamenti Evropian ndan këtë pikëpamje dhe ka kërkuar vazhdimisht liberalizimin e vizave në disa rezoluta”.
Udhëheqësit e shteteve të Bashkimit Evropian do t’i zhvillojnë dy takime deri në fund të presidencës francize të Bashkimit Evropian, aty ku mund të shmangen procedurat ministrore dhe të vendoset që Kosovës t’i hiqen vizat. Por, që këta ministra nuk e kanë në agjendë trajtimin e çështjes së liberalizimit të vizave për kosovarët.
Ndryshe, shumë përfaqësues të skenës politike janë shprehur të interesuar që ky process të ndodhë sa më shpejt, mirëpo sipas Von Cramon qëndrimi skeptik i Francës po e ngadalëson këtë proces.
Vlen të theksohet se skepticizmi i Francës për liberalizim të vizave ka vazhduar edhe pas zgjedhjeve në këtë shtet dhe fitores për mandatin e dytë të presidentit, Emanuel Macron.
Zgjedhjet e sërishme parlamentare në Francë në muajin qershor dhe hezitimi i vendeve të tjera skeptike të BE-së pritet të pamundësoj largimin e regjimit të vizave nën presidencën francezë të Këshillit të Evropës. /Gazeta Enigma/.