“Skifterat” e Gjilanit premtojnë spektakël në Derbin e Anamoravës

“Skifterat” e Gjilanit premtojnë spektakël në Derbin e Anamoravës

Pa marrë parasysh gjendjen tabelare, formën e ekipit e çdo gjë tjetër, kur SC Gjilani dhe Drita ballafaqohen në fushën e blertë, ‘i madh e i vogël’ në Gjilan ndjek rrugën e stadiumit.

Në atë që njihet si Derbi i Anamoravës, të njëjtën premton edhe e diela e 15 dhjetorit, ku SC Gjilani luan kundër Dritës në kuadër të xhiros së 17-të.

Tifozët e SC Gjilanit kanë premtuar spektakël para ndeshjes me Dritën.

“Ne jemi aty këtë të diel! Duke prezantuar qytetin e për t’i dalë në mbështetje ekipit, ky vikend na bashkon të gjithëve në tribunë, për të vetmen arsye, të ruajmë nderin e qytetit”, kanë shkruar ‘Skifterat’ në rrjetin social Facebook.

“Do t’ia rikthjem ngjyrat këtij derbi, sepse vetëm ne dimë se si, e të ruajm dinjitetshëm rëndësin e kësaj ndeshje e të tregojm se sa peshë ka ky derbi. Të dielën, ora 13:00 në stadionin ndihmës të qytetit, fillon spektakli”, kanë paralajmëruar ata.

SC Gjilani hyn në derbin gjilanas me 18 pikë të arkëtuara, duke zënë kështu pozitën e 7-të në Albi Mall Superliga.

Në anën tjetër, Drita e Zekirja Ramadanit po gëzon formë jashtëzakonisht të suksesshme, e cila kryeson tabelën me 37 pikë. /Gazeta Enigma/

Related Articles