Gjykata Themelore në Prishtinë këtë të enjte e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 15 vjet burgim të akuzuarin për krime lufte Sllavisha Filiq, raporton Gazeta “Enigma”.
Aktgjykimi u shpall sot nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra.
Sllavisha Filiq ngarkohet se si pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, së bashku me dy zyrtarë tjerë, e kishin dërguar në objektin e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë mjekun Hafir Shala, ku iu ishte nënshtruar rrahjeve dhe torturave dhe se nga ajo ditë më nuk dihet për fatin e tij.
Gjykatësja Namani-Hajra sipas Betimi për Drejtësi, tha se dënimi me burgim do të ekzekutohet kur aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.
Kujtojmë se ky gjykim është zhvilluar në mungesë. /Gazeta Enigma/