SC Gjilani e ka nisur furishëm sezonin 2022/2023 në Superligën e Kosovës duke i shënuar dy fitore nga dy ndeshje.
“Skifterat” të udhëhequr nga trajneri shkupjan Zekirija Ramadani arritën ta mposhtin Ferizajn në xhiron e parë, kurse të dytën triumfuan ndaj Malishevës, të dy ndeshjet u zhvilluan në Gjilan. Në xhiron e tretë SC Gjilan luan si mysafirë ndaj Drenicës.
Në këto dy ndeshje, lojtari që bëri diferencën në fushën e lojës ishte qendërsulmuesi Theophilus Solomon i cili shënoi dy gola në ndeshjen e parë duke e kthyer rezultatin në favor të Gjilanit dhe golin e fitores ndaj Malishevës.
Sulmuesi nga Nigeria iu bashkua skuadrës së Gjilanit në ditën e fundit të merkatos verore nga skuadra e FC Ballkanit.
26-vjeçari në një intervistë për Gazetën Enigma ka folur aventurën e tij te SC Gjilani. Ai ka treguar se po ndjehet sikurse në shtëpi pasi mikëpritja ka qenë në nivel të duhur.
“Te Gjilani më kanë pritur sikurse në shtëpi. Po ndjehem sikurse jam një kohë të gjatë këtu dhe kjo ndoshta ka bërë që të kem këtë ritëm në këtë fillim kampionati edhe pse nuk ndodhem në formën më të mirë fizike. Nga minutat që kam pasur në dispozicon dhe numri golave që kam realizuar ndoshta është një start më i furishëm se që e kam menduar, megjithëse besimi nuk më ka munguar asnjëherë për të treguar se sa vlej”, thotë Solomon duke treguar se besimi nuk i ka munguar asnjëherë për të treguar se sa vlen në botën e futbollit.
Solomon thotë se ende nuk është formën më të mirë fizike, por është duke punuar që të arrij formën maksimale 100 % që t’i ndihmojë ekipit të drejtuar nga Zekirija Ramadani.
“E thash dhe unë që nuk ndodhem në formën më të mirë fizike dhe për këtë janë disa faktor. Jam duke punuar maksimalisht që të jem në 100% tim dhe të rris edhe më shumë produktivitetin, në mënyrë që t’i ndihmoj ekipit sa më shumë”, shprehet i bindur Solomon.
Theophlius Solomon shprehet falënderuar ndaj SC Gjilanit duke thënë se i kanë ndihmuar në momentet më të vështira të karrierës së tij. Ai thotë se këtë besim të klubit do të mundohet t’ua shpërblej me shumë gola.
“Synimi është t’i ndihmoj ekipit sa më shumë në objektivat që ka para vetës. Gjilani më ka besuar në momentet ndoshta më të vështira ndaj karrierës time, ndaj për këtë u jam shumë mirënjohës dhe do t’ua shpërblej me punë dhe sa më shumë gola. Golat do të vijnë si rezultat i punës dhe për këtë jam i bindur që do ta ndihmoj ekipin shumë”, thotë Theophilus Solomon.
Sulmuesi nigerian tregon se te SC Gjilani ka gjetur një ambient të shkëlqyer me futbollistë dhe staf te mrekullueshëm, spas tij ky është çelësi i suksesit.
“Këtu kam gjetur një ambient të shkëlqyer. Me futbollistë dhe staf të mrekullueshëm. Mendoj që ky është çelësi i çdo suksesi. Ne do të luftojmë deri në fund për objektivat madhor dhe shpresoj që në fund t’i arrijmë ato”, thotë Theophilus Solomon. /GAZETA ENIGMA/