Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka shkruar rreth vizitës që zhvilloi dje në Kosovë, në përpjekje për ta ringjallur procesin e dialogut.
Sorensen u takua me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Presidenten Vjosa Osmani dhe liderët e partive politike, Bedri Hamzën, Lumir Abdixhikun dhe Ramush Haradinajn.
Ai ka thënë se gjatë këtyre takimeve ka pasur diskutime të hapura mbi hapat e mëtejshëm në dialog, për t’u siguruar që sivjet të ketë rezultatet të prekshme në këtë këtë proces.
“Jam i lumtur që jam kthyer në Kosovë. Kam pasur takime të vlefshme dhe diskutime të hapura mbi hapat e mëtejshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për t’u siguruar që viti 2026 të sjellë rezultate të prekshme për popullin e Kosovës. Angazhimi i vazhdueshëm mbetet thelbësor për përparimin drejt së ardhmes evropiane të Kosovës”, ka shkruar Sorensen në platformën “X”, teksa ka ndarë edhe fotografi nga takimet.
Glad to be back in Kosovo! Had valuable meetings and open discussions on next steps in the EU-facilitated Dialogue to ensure 2026 delivers tangible results for the people of Kosovo. Continued engagement remains essential for progress on Kosovo’s EU future. pic.twitter.com/MDnG1ym2IB— EUSR for Belgrade-Pristina Dialogue (@EUSR_Dialogue) January 15, 2026
Presidentja Vjosa Osmani ka theksuar nevojën që palët të trajtohen në mënyrë të barabartë për t’u arritur sukses, si dhe ka kërkuar që procesi të përqëndrohet në njohjen reciproke.
Kurti ndërkohë ka thënë se rezultati zgjedhor ka prodhuar një “legjitimitet të ri demokratik” që garanton parashikueshmëri politike dhe stabilitet institucional.
“Ky legjitimitet i lartë, i dalë drejtpërdrejt nga vullneti i qytetarëve, siguron përfaqësim të drejtë, kredibil dhe parimor të Kosovës në dialog”.
Ndryshe, Sorensen do ta vizitojë edhe Serbinë gjatë javës.
