Më 15 qershor 2025 shënohen 17 vjet nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dokumenti më i lartë juridik që e konfirmon vendin si shtet të pavarur, sovran, demokratik dhe të pandashëm.
Kushtetuta e Kosovës, e cila hyri në fuqi 120 ditë pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, e përshkruan vendin si një shtet laik me një shoqëri shumetnike, të përbërë nga shqiptarët dhe komunitete tjera.
Me hyrjen në fuqi të Kushtetutës më 15 qershor 2008, nisi zbatimi i Planit të Martti Ahtisaarit, ish-kryenegociator i Kombeve të Bashkuara, i cili parasheh të drejta të garantuara për komunitetet dhe funksionim demokratik të institucioneve.
Gjatë kësaj periudhe, institucionet e Kosovës kishin përgatitur dhe miratuar mbi 40 ligje që burojnë nga kjo pako, duke hedhur themelet për një rend të ri kushtetues dhe funksionalitet institucional.