Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka shpallur të premten ditë zie në nderim të mikës së madhe të Kosovës, Madeleine Albright, ish Sekretares Amerikane të Shtetit.
Me vendim të Presidentes Osmani, flamujt shtetëror ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.
“Në shenjë respekti shtetëror, dita e premte, datë 25 mars 2022, shpallet ditë zie në Republikën e Kosovës për të kujtuar miken e madhe të Kosovës, Madeleine Albright e cila u nda nga jeta dje”.
“Zonja Albright e njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, ka thënë Presidentja Osmani.
Në nderim të saj, sot orën 19:30 te busti i Albright në Prishtinë ndizen qirinj në shenjë mirënjohje dhe kujtimi për miken e madhe të Kosovës.
Madeleine Albright, mikja e madhe e shqiptarëve, ka vdekur të mërkurën në moshën 84-vjeçare.
Ajo vlerësohet për ndikimin e madh për të bindur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe botën për krimet që po kryheshin në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe.
Albright ka vizituar tri herë Kosovën, pak muaj pas përfundimit të luftës 1999, më 2005 dhe 2019. Më 2005, mbajti një fjalim në Kuvendin e Kosovës, ndërkohë më 2019, ishte e pranishme në ngritjen e bustit në nderim të saj.