Sot në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, do të mbahet një ceremoni, për nder të 53-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës.
Ceremonia është planifikuar të nisë në orën 13:00.
Universiteti i Prishtinës është themeluar me Ligjin mbi Themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Krahinës Socialiste të Kosovës, më 18 nëntor 1969. Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte ngjarje historike për popullin e Kosovës, si edhe për mbarë kombin shqiptar.
Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë, më 15 shkurt 1970, u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe pikërisht kjo datë u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës. Në përbërje të Universitetit të Prishtinës të posathemeluar ishin këto fakultete me seli në Prishtinë: Fakulteti Filozofik, Fakulteti Juridiko-Ekonomik, Fakulteti Teknik dhe Fakulteti i Mjekësisë. Tani Universiteti i Prishtinës i ka 14 fakultete.
Ndërkaq, me hyrjen në fuqi të Statutit të Universitetit, më 9 korrik 2004, të drejtat dhe përgjegjësitë e studentëve dhe të personelit të Fakultetit të Mësuesisë dhe të shkollave të larta pedagogjike u bartën në Fakultetin e Edukimit.