Kosova prej nesër do të fillojë zbatimin e reciprocitetit për letërnjoftime me Serbinë dhe fillimin e regjistrimit me targa RKS për automjetet me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje gjatë konferencës potencoi se sot do të mblidhet Këshilli i Sigurisë.
Kurti ka bërë me dije se në mbledhje do të disktuohet në lidhje me këto dy çështje.
“Javëve në vijim është e domosdoshme që gjithçka të shkojë mirë me procesin e shndërrimit të targave të automjeteve dhe në çdo vendkalim kufitar të shkojë mirë me dokumente që do të lëshohen për qytetarët që vijnë nga Serbia në Kosovë. Nesër në mëngjes e kemi një mbledhje të Këshillit të Sigurisë ku do t’i diskutojmë me krerët e organeve dhe agjencive të ndryshme shtetërore, ministria, çështjet që mund të na shfaqen e të cilat duhet t’i kemi parasysh”.
”E dimë që ka njerëz jashtë ligjit, ka kriminelë të llojeve e ngjyrave të ndryshme, të cilëve s’iu pëlqen ligjshmëria dhe kushtetueshmëria dhe duan ta sfidojnë shtetin e Kosovës, andaj kjo mbledhje është për t’u diskutuar se a janë marr të gjitha masat që gjithçka të shkojë siç është planifikuar gjithnjë sipas shtetit të së drejtës”, tha Kurti.