Afati prej 30 ditësh që Gjykata Kushtetuese e Kosovës ua ka vendosur deputetëve për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar sot, raporton Gazeta “Enigma”.
Numërimi mbrapsht për deputetët e legjislaturës së 9-të nisi nga e enjtja e 26 qershorit, kur u publikua ky aktgjykim.
Pas përfundimit të këtij afati, Kushtetuesja mori një vendim për masë të përkohshme deri me 8 gusht, duke ua ndaluar deputetëve marrjen e çdo vendimi dericme këtë datë.
Sot pritet publikimi i një aktgjykimi të ri, që mund të përcaktojë hapat e ardhshëm drejt zhbllokimit të procesit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje do ta zbatojë vendimin e gjykatës, pavarësisht se cili do të jetë epilogu. “Është dëmtim i madh që Kosova nuk ka Kuvend”, ka theksuar ai.
Kriza institucionale ka hyrë në muajin e gjashtë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Që nga seanca e parë më 15 prill janë bërë 54 përpjekje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por asnjëra nuk ka pasur sukses.
Vetëvendosje, megjithëse partia fituese me 48 ulëse, nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 votash për kandidaten e saj, Albulena Haxhiun.
Presidentja Vjosa Osmani ka zbuluar se kishte kërkuar nga Kushtetuesja sqarime mbi pasojat në rast të moskonstituimit brenda afatit, por e ka tërhequr kërkesën kur mori vesh se gjyqtari serb Radomir Llaban ishte caktuar si raportues i çështjes.
Sipas saj, Llaban paraqet “rrezik për sigurinë kombëtare”, bazuar në informacione të klasifikuara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe institucionet tjera të sigurisë.