Spalletti: Rrahmani është përmirësuar shumë

Spalletti: Rrahmani është përmirësuar shumë

Amir Rrahmani është duke jetësuar sezonin më të mirë të karrierës së tij. Për mbrojtësin “dardan” thuri lëvdata edhe sot trajneri i tij, Luciano Spalletti, duke thënë se është përmirësuar shumë si lojtar.

Trajneri i Napolit sot zhvilloi një tjetër konferencë për shtyp. Edhe kësaj radhe nuk la pa përmendur mbrojtësin e Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, që së bashku me Kim kanë krijuar një dyshe shumë stabile në qendërmbrojtje.

“Rrahmani është përmirësuar shumë. Njësoj edhe Lobotka, Lozano dhe Politano. Zielinski është njashtu gjithmonë i saktë dhe teknikisht i mirë. Elmas jep gjithmonë kontributin e tij. Me pak fjalë, jam i lumtur me të gjithë”, tha ai. Spalletti është i vetëdijshëm që nesër kundër Romas do të jetë një sfidë me peshë, por ai refuzoi që të flasë në formë të drejtpërdrejtë për titull: “Nuk e di sa është e kuotuar fitorja e titullit kampion. Asnjëherë nuk kam qenë i mirë në matematikë. Di vetëm të bëj llogaritë e thjeshta. Nëse fitojmë nesër shkojmë në shifrën e 53 pikëve.”

Sa i përket Rrahmanit, ai u rikthye më 4 janar në sfidën kundër Interit nga lëndimi në kofshë tre mujor që vuante. 28-vjeçari kosovar ishte lënduar në Cremona në ndeshjen kundër Cremoneses gjatë gjysmës së muajit tetor. Rikthimi kundër “Zikaltërve” nuk shkoi në mënyrën më të duhur të mundshme, pasi një gabim i tij në mbulim u bë shkaktar i pësimit të disfatës së parë sezonale për Napolin, me Edin Dzekon që shënoi golin e vetëm, i cili ia solli tre pikë skuadrës së tij.

Megjithatë, në ndeshjet në vijim ai u këndell, duke treguar sërish një nivel të kënaqshëm të paraqitjeve. Gëzimin më të madh personal e shënoi pesëmbëdhjetë ditë më parë, kur në “Diego Armando Maradona” i shkundi për mrekulli portën e Juventusit, në fitoren drithëruese 5:1.

Njëherësh, ky ishte edhe goli i parë për përfaqësuesin kosovar në sezonin e sivjetëm të Serie A. Kujtojmë se kapitani i kombëtares “dardane” shumë shpejt pritet ta zgjasë kontratën e tij me Napolin. Në mediet italiane flitet se marrëveshja vetëm se është arritur. Kontrata e deri do të jetë trivjeçare.



Ndërkohë Rrahmani do të mundohet ta sigurojë titullin e parë në karrierën e tij. Epërsia prej 12 pikëve ndaj Milanit është një ogur i mirë për t’u arritur si cak diçka e tillë.

Related Articles