Spanja rikonfirmon vendimin për mosnjohje të Kosovës, thotë se ka qasje konstruktive

Spanja rikonfirmon vendimin për mosnjohje të Kosovës, thotë se ka qasje konstruktive

Qeveria e Spanjës e ka rikonfirmuar edhe një herë vendimin e saj për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës, ndonëse thotë se mban “qasje konstruktive” për këtë çështje, duke e mbështetur një zgjidhje në dialogun mes Kosovës e Serbisë, raporton “Europa Press”.

Kjo është bërë e ditur në një përgjigje parlamentare për deputeten Mariona Illamola, që kishte pyetur në lidhje me aspiratat e Kosovës për të hyrë në BE.

Qeveria e Spanjës, në një përgjigje, të cilën e ka “Europa Press”, ka konfirmuar qëndrimin “për mosnjohjen e deklaratës së njëanshme të pavarësisë të miratuar nga Prishtina në vitin 2008, pasi është një akt i njëanshëm”.

Megjithatë nga Qeveria thuhet se “nga një këndvështrim konstruktiv, konsiderohet se është koha për të bërë përpjekje përfundimtare për zgjidhjen e çështjes së territorit të Kosovës në kuadër të dialogut Beograd – Prishtinë, me një marrëveshje që respekton të drejtën ndërkombëtare”.

Sa i përket aspiratës së Kosovës për të hyrë në BE, Qeveria ka thënë se është aktivisht në favor të politikës së zgjerimit të BE-së dhe beson plotësisht në nevojën për t’i dhënë një shtysë të re inkuadrimit të Ballkanit Perëndimor.

Illamola kishte pyetur Ekzekutivin edhe për Samitin e mbajtur në Slloveni mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në tetor, ku mori pjesë edhe kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez.

Deputetja katalunase kishte pyetur nëse Qeveria konsideron se po dëmtohet imazhi i Spanjës me vendosjen e vetove ndaj flamujve e simboleve të një vendi si Kosova. Ajo i ishte referuar faktit se për të lehtësuar pjesëmarrjen e Sanchezit dhe krerëve të vendeve tjera të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, u vendos të mos përdoreshin simbole në këtë ngjarje.

“Pozicioni i mosnjohjes nuk nënkupton ndërprerjen e pjesëmarrjes”, u tha nga Qeveria e Spanjës, ndërsa për pjesëmarrje ka thënë se është dashur plotësohen disa kushte të dakorduara brenda BE-së./Gazeta Enigma.

Related Articles