Specialja s’e njeh Avokatin e Popullit të Kosovës, për raportin e britanikëve thotë se “nuk e ka të qartë statusin”

Specialja s’e njeh Avokatin e Popullit të Kosovës, për raportin e britanikëve thotë se “nuk e ka të qartë statusin”

Dhomat e Specializuara kanë thënë se i vetmi autoritet që mund të merret me proceset brenda gjykatës është institucioni i Avokatit të Popullit i Gjykatës Speciale.

Kështu kanë thënë për RTK nga Haga, pasi institucioni i Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës kanë pasur shqetësime lidhur me procesin e gjykimit në Hagë dhe kanë publikuar edhe një raport të një organizate britanike e cila ka vërtetuar shqetësimet.

Nga Gjykata Speciale kanë thënë se nuk e kanë të qartë se cili është statusi i raportit të britanikëve.

“Sipas Kushtetutës së Kosovës, është Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara ka mandat për proceset në Gjykatë dhe jo Avokati i Popullit të Kosovës. Nuk është e qartë se cili është statusi i raportit”, kanë thënë nga Specialja.

Një raport i hartuar nga ekspertët e Komitetit të Odës së Avokatëve për të Drejtat e Njeriut (BHRC) në Londër, me kërkesë nga Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë, ka ngritur shqetësime lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ku për krime lufte, po gjykohen ish-katërshja e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Ky dokument, i cili shërben si një “vlerësim paraprak” i punës së deritanishme të gjykatës, vë në shënjestër veçanërisht praktikën e paraburgimeve të stërzgjatura, vështirësitë për lirim të përkohshëm dhe sfidat e legjitimitetit të një institucioni që, ndonëse ligjërisht pjesë e Kosovës, operon me personel tërësisht të huaj dhe jashtë territorit të vendit.

Related Articles