Specialja shtyn datën e gjykimit ndaj Thaçit dhe katër të tjerëve

Specialja shtyn datën e gjykimit ndaj Thaçit dhe katër të tjerëve

Gjykata Speciale ka njoftuar se fillimi i gjykimit në çështjen kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, është shtyrë për datën 27 shkurt.

Të lartpërmendurit akuzohet nga Prokuroria Speciale për “pengim të drejtësisë”.

Rasti ishte paraparë të niste më 24 shkurt.

“Më 28 janar 2026, Gjykatësi i Vetëm Kristofer Gosnell miratoi pjesërisht kërkesën e Mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe urdhëroi që gjykimi në çështjen kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit të fillojë të premten, 27 shkurt 2026, në vend se më 24 shkurt, siç ishte caktuar më parë”, thuhet në njoftim.

Aktakuza e re kundër Thaçit dhe katër personave të tjerë, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut – u konfirmua më 29 nëntor, ndërsa u bë publike më 7 dhjetor.

Thaçi akuzohet se bashkërendoi “tri grupe të veçanta” së bashku me Smakajn, Kilajn, Kuçin dhe Fazliun për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të prokurorisë në rastin kundër tij dhe të tjerëve për krime lufte.

“Së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë”, thuhet në aktakuzë.

Në aktakuzën e re, Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Prokurori Joshua Hafetz ka thënë se prokuroria synon t’i thërrasë të paktën tre dëshmitarë për të dëshmuar kundër Thaçit dhe katër të dyshuarve të tjerë në gjyqin për pengim të drejtësisë.

Related Articles