Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar pasi Specialja ka deklaruar se nuk ka arsyje të mjaftueshme për t’u realizuar takimi mes Thaçit dhe babait të tij, i cili nuk është në gjendje të mirë emocionale.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Çitaku theksoi se ish-presidentit Thaçi po i mohohet kjo e drejtë.
“Gjykata Speciale paska deklaruar që nuk ka arsye të mjaftueshme për ta liruar për vizitë Presidentin Thaçi. Se baca Haxhi, i shtrirë në shtrat, duke luftuar me dhimbjen dhe moshën, nuk qenka “mjaftueshëm” i sëmurë. Sa më shumë duhet të vuajë një baba që t’i njihet dhimbja? Sa duhet të rëndohet shëndeti i tij që ta quajnë “boll”? A ka një matës për dhimbjen e prindit që pret të shohë të birin para se të mbyllë sytë? Kjo nuk është drejtësi! Kjo nuk është njerëzi! Një zemër e lodhur pret të rrahë edhe një herë me shpresën e një përqafimi të fundit. Por edhe këtë të drejtë ia mohojnë. Historia do të gjykojë edhe këto padrejtësi”, tha Çitaku./GazetaEnigma/