Spitali i Vushtrrisë aktualisht po punon me vetëm dy kirurgë nga pesë sa kishte, deri para pak ditësh.
Kjo ngase tre profesionistë, A.L, E.S dhe I.Z, të martën e kësaj jave u suspenduan nga puna për shkak të hetimeve, arrestimeve nga prokuroria nën dyshimin për marrje ryshfeti.
Si shkak i kësaj kujdestaritë kanë rënë, mirëpo jo edhe sallat operative, shkruan Klan Kosova.
“Puna operative po vazhdon në pajtim me planin operativ të kirurgëve. Por, kujdestaritë me dy kirurgë është e pamundur të organizohen megjithatë blloku operativ nuk ka rënë”, deklaruan nga menaxhmenti i Spitalit të Vushtrrisë.
Veçse, ky institucion dytësor nuk e di numrin e saktë të listës së pritjes, ngase këto planifikime janë bërë nga shefi i repartit,I.Z, tashmë i suspenduar dhe i shkarkuar nga kjo pozitë në spital.
Megjithatë, para zhvillimeve në lidhje me mjekët e spitalit në këtë fillim jave, ky institucion javë më parë kishte ka shpallur konkurs për dy kirurgë.
“Janë duke u zhvilluar procedurat dhe së shpejti përfundon ky proces. Po ashtu edhe nga ShSKUK kemi marr mbështetje për bashkëpunim dhe organizim të punës me kirurgë shtesë”, treguan nga Spitali i Vushtrrisë.
Në këtë spital dytësorë në vitin 2022 janë realizuar 1 mijë e 808 operacione.