Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se ndërprerja e përkohshme në funksionimin e elektrofiltrave në Termocentralin “Kosova A”, e shkaktuar nga ndërprerja në qarkun elektrik të ndërprerësve të kompresorëve të ajrit me automatizëm, është tejkaluar me sukses.
Sipas KEK-ut, falë angazhimit intensiv dhe profesional të stafit teknik, janë realizuar të gjitha ndërhyrjet e nevojshme, duke mundësuar sanimin e plotë të situatës dhe stabilizimin e funksionimit të elektrofiltrave.
Gjatë gjithë kohës janë zbatuar masa operative dhe parandaluese për mbrojtjen e aseteve dhe për menaxhimin e situatës në përputhje me standardet teknike dhe mjedisore në fuqi, transmeton IndeksOnline.
“KEK Sh.A. shpreh mirënjohje për përkushtimin dhe reagimin e shpejtë të stafit të Termocentralit “Kosova A” dhe mbetet e përkushtuar për operim të sigurt, transparent dhe të qëndrueshëm” shkruan KEK.
