Ka tre javë që Kuvendi i Kosovës nuk mbanë seancë të rregullt plenare, shkruan Gazeta Enigma.
Përfaqësues nga partitë opozitare, kanë ngritur dyshime se arsyeja pse nuk po mbahen seancat, është pikërisht përçarjet e krijuara së fundmi brenda partisë në pushtet, Vetëvendosjes.
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, tha për Gazetën Enigma se brenda partisë së Lëvizjes Vetëvendosje ka përçarje dhe se kjo është arsyeja se pse nuk po mbahen seancat e kuvendit që disa javë me radhë.
“Për mua, arsyeja e vetme se pse nuk po mbahen seancat e Kuvendit është se Vetëvendosja kanë përçarje brenda partisë”, tha ai.
Tutje, Haxhiu cilëson se do të ketë zgjedhje të reja shkaku i situatës së partisë në pushtet.
“Duke parë këto përçarje. Nuk besoj se kjo qeveri mund të shkojë më shumë se 5 muaj”, përfundoi ai.
S’ka përqarje – thotë Vetëvendosje
Por këtë gjë, e ka mohuar deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Labinotë Demi-Murtezi.
Murtezi në një prononcim për Enigmën, tha se arsyeja se pse nuk ka seancë kuvendi është pikërisht mungesa e kuorumit, e nuk bëhet fjalë për ndonjë përçarje.
“Seancat veç për kuorum dështojnë. Dy deputete i kemi në pushim lehonie, 3 dulën, tash pak ma vështirë për kuorum. Disa deputetë janë në udhëtime zyrtare, e pashmangshme me i tejkalu, opozita nuk po voton edhe për këtë arsye nuk ka seanca kuvendi”, tha ajo.
Ajo vlerëson se ka mosmarrëveshje edhe brenda opozitës dhe se edhe mungesat e tyre po ndikojnë në dështimin e seancave.
“Edhe opozita i ka pakënaqësitë e veta mes grupit, është normale mos me u marrë vesh në çdo pikë, ama jo sa me ndiku në seancë. Mjafton edhe kundër me qenë e me procedu, ama problemi është që numra nuk kemi”, përfundoi ajo.
Stagnimi i ligjeve – pasojë e mos votimit
Arbër Thaçi nga Instituti Demokratik i Kosovës, vlerëson se puna parlamentare ka qenë jo e mirë dhe se nëse vazhdohet me këtë situatë, agjenda legjislative do të jetë e lënë shumë mbrapa.
“Problemi qëndron fillimisht që kjo gjendja tanimë e ka lënë prapa agjendën legjislative mjaftueshëm, për ta vlerësuar si të patolerueshme. Puna parlamentare ka qenë e ngadaltë, e paplanifikuar dhe jo frytëdhënëse. Në funksion të përmirësimit, duhet të ndërmirren masa të menjëhershme, rezultati i të cilave duhet të jetë kthimi i punës parlamentare në intenzitetin e nevojshëm”, theksoi ai për Enigmën.
Tutje ai tha se pa një përmbysje të situatës ekzistuese, çdo hap duhet të shqyrtohet si veprim i mundshëm. /GAZETA ENIGMA.