Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i është kundërpërgjigjur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke theksuar se procesi integrues i Kosovës lidhet drejtpërdrejt me procesin e dialogut.
Një përgjigje e tillë vjen pasi Kurti në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Shkup, ka kërkuar që që procesi i integrimit të Kosovës për në Bashkimin Evropian të ndahet nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
“Politika e BE-së ka qenë e qartë me vite. Rruga evropiane për Kosovën dhe Serbinë, lëvizë nëpërmjet dialogut të normalizimit.Pa normalizim nuk ka aderim në BE. Nga parimet themelore të aderimit në BE, jo vetëm për Kosovën e Serbinë, por të gjithë, për vendet që janë anëtare tash, për Kroacinë dhe Slloveninë më parë, për Hungarinë dhe Sllovakinë më parë, parimi themelor është pajtimi, marrëdhëniet e mira fqinjësore, dhe zgjidhja e të gjitha problemeve nga e kaluara, që mos t’i sjellim në BE”, ka thënë Stano.
Stano ka komentuar edhe draft-statutin e Asociacionit, duke thënë se Kosova ka dështuar të dorëzojë një draft për Asociacionin, prandaj ai është përgatitur nga BE.
“E kemi thënë për shumë kohë është që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është obligim ligjor i Kosovës, obligim të cilin vet Kosova e ka pranuar. Bashkimi Evropian bashkë me SHBA-të, thonë që ky është prioritet, dhe duhet të realizohet sipas obligimit që ka Kosova. Statuti, drafti i fundit, është bërë nga Bashkimi Evropian, pas dështimit të Kosovës të sjellë draftin, të kryej obligimin nga ana e tyre. Përkundër thirrjeve të shumta nga BE-ja dhe SHBA-ja, në nivelin më të lartë. Drafti është përgatitur nga ne, duke respektuar vijat e kuqe të Kosovës, me pjesëmarrjen aktive të ekspertëve më të njohur ligjor ndërkombëtar, duke marrë parasysh modelet më efektive të asociacioneve të ngjashme brenda BE-së. Janë mbi 20 modele në BE që funksionojnë pa krijuar frikë për autonomi a ndarje”, ka thënë ai.
Ai tha se masat ndëshkuese ndaj Kosovës kanë ardhur si reagim nga BE-ja dhe 27 vendet anëtare të saj, ndaj një numri të hapave kundër-produktiv të palës kosovare.
“Masat nuk janë shpikur ashtu. Masat kanë qenë reagim nga BE-ja dhe 27 vendet anëtare të saj, ndaj një numri të hapave kundër-produktiv nga pala kosovare që shpinë deri te një përshkallëzim serioz i situatës. BE-ja ka bërë kërkesa specifike ndaj Kosovës për depërshkallëzim, dhe ata hapa, ato veprime kanë qenë shumë të qarta dhe shumë herë të përsëritura për palën kosovare. Këto masa që janë vendosur, në mungesë të progresit, apo depërshkallëzimit, ato mund të largohen, të hiqen në çdo moment kur vendet anëtare dhe Bashkimi Evropian thonë “po, mjaft është bërë, por fatkeqësisht nuk është bërë gjithçka, nuk është bërë mjaft. Ka pasur disa gjëra e veprime të bëra, por Kosova duhet të përmbushë në tërësi ato kërkesa”, shprehet ai për Tëvë1.