Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha sot se synimi i BE-së është që kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë të takohen sa më shpejt sepse ka shumë çështje në tavolinë që duhet të zgjidhen, rapoerton Gazeta “Enigma”.
Megjithatë, Stano nuk ka mundur të konfirmojë datën se kur mund të zhvillohet takimi i negociatorëve kryesorë.
Ai shtoi se BE-ja e konsideron mbylljen e komunave paralele serbe në veri si një hap të padobishëm, të pakoordinuar dhe të njëanshëm.
“Veprime të tilla kanë potencialin të rrisin tensionet dhe të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm në një situatë tashmë të brishtë në terren”, theksoi Stano.
Ai shtoi se BE-ja përcolli shqetësimin e saj tek autoritetet në Kosovë për shkak të një sërë lëvizjesh të pakoordinuara dhe të njëanshme.
“Bashkimi Evropian ua ka përcjellë autoriteteve të Kosovës qëndrimin dhe shqetësimet e tij lidhur me këtë seri hapash të pakoordinuar dhe të njëanshëm. Mund t’ju kujtoj vetëm se kemi konkluzionet e Këshillit Evropian të vitit të kaluar kur vendet anëtare e kishin shumë të qartë se dështimi i palëve për të ulur tensionet do të ketë pasoja”, tha Stano.