Starmer jep detaje rreth telefonatës që ai dhe liderët tjerë patën me Trump

Starmer jep detaje rreth telefonatës që ai dhe liderët tjerë patën me Trump

Liderët evropianë janë pajtuar me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, se qëndrimi i Rusisë në bisedimet për armëpushim është i papranueshëm dhe kanë për qëllim ta përgatisin një përgjigje, tha të premten kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.

Starmer foli nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, ku udhëheqës nga dhjetëra vende evropiane u mblodhën për samitin e Komunitetit Politik Evropian, në të cilin mori pjesë edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Sapo patëm një takim me presidentin Zelensky dhe më pas një telefonatë me presidentin Trump, për t’i diskutuar zhvillimet në negociatat e sotme, dhe qëndrimi i Rusisë është qartësisht i papranueshëm”, u tha Starmer gazetarëve.

“Pas takimit me presidentin Zelensky, dhe diskutimeve me presidentin Trump, tani po i përafrojmë dhe bashkërendojmë përgjigjet tona dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha ai.

Ai tregoi se për vendimin e përbashkët me Trumpin u pajtuan edhe liderët e Francës, Gjermanisë dhe Polonisë.

Rusia dhe Ukraina zhvilluan të premten bisedime të drejtpërdrejta për paqe për herë të parë që nga viti 2022, në qytetin port të Stambollit në Turqi. Bisedimet përfunduan pas më pak se dy orësh, sipas Ministrisë së Jashtme turke dhe një zyrtari ukrainas.

Kievi akuzoi Kremlinin se ka paraqitur kërkesa të reja “të papranueshme” për tërheqjen e forcave ukrainase nga pjesë të mëdha të vendit, sipas një zyrtari, i cili foli për Associated Press në kushte anonimiteti.

Më herët, Zelensky tha se vendi i tij është i përkushtuar për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, por u bëri thirrje liderëve evropianë t’i ashpërsojnë sanksionet ndaj Kremlinit, nëse presidenti Vladimir Putin vazhdon t’i zvarrisë bisedimet për armëpushim.

“Ukraina është e gatshme t’i ndërmarrë të gjitha hapat për t’i dhënë fund kësaj lufte”, tha Zelensky para liderëve të mbledhur në një samit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë.

Por, ai theksoi se “nëse del se delegacioni rus është thjesht një shfaqje teatrale dhe nuk sjell asnjë rezultat sot, bota duhet të reagojë”.

Ai tha se reagimi duhet të përfshijë “sanksione ndaj sektorit të energjisë dhe bankave të Rusisë”.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, e mbështeti thirrjen e Zelenskyt, duke thënë në një fjalim në samit se “Rusia po zvarritet dhe po luan lojëra”.

“Ne duhet të jemi të gatshëm të veprojmë, sepse nëse Rusia nuk ulet në tryezën e negociatave, atëherë Putini duhet ta paguajë çmimin”, tha ai në samitin e mbajtur në kryeqytetin shqiptar, Tiranë./REL

Related Articles