Staroviq: Turqia po punon intensivisht në armatosjen e Forcave të Sigurisë së Kosovës

Staroviq: Turqia po punon intensivisht në armatosjen e Forcave të Sigurisë së Kosovës

Sekretari shtetëror i Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë, Nemanja Staroviq, thotë se Turqia po punon intensivisht në armatosjen, trajnimin dhe pajisjen e të ashtuquajturave forca të sigurisë së Kosovës.

Kjo, thekson ai, është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si dhe me Brukselin dhe të gjitha marrëveshjet e tjera përkatëse.

“Sigurisht që ne i kemi ndjekur intensivisht të gjitha këto procese, agjencitë tona që janë përgjegjëse për këtë, prej muajsh i kanë raportuar udhëheqjes shtetërore në detaje për gjithçka që po ndodh dhe natyrisht në përputhje me këtë, duke përdorur kanalet diplomatike. Ne i kemi paralajmëruar përfaqësuesit e Turqisë se kjo që po ndodh është absolutisht e papranueshme. Natyrisht, ata flasin për faktin se bëhet fjalë për një lloj aranzhimi komercial, për shitje”, tha Staroviq për RTS.

Ai megjithatë theksoi se bëhet fjalë për armatim që nuk lejohet në Kosovë dhe se nuk mund të posedojnë Forcat e Sigurisë së Kosovës.

“Nga ana tjetër, në bazë të gjithçkaje që dimë, duke pasur parasysh edhe buxhetin e ndarë për ato të ashtuquajturat Forcat e sigurisë së Kosovës, nuk kanë para për një gjë të tillë dhe nuk mund të flitet për aranzhime komerciale dhe është mjaft e sigurt që janë donacione turke”, tha Staroviq.

Ai shtoi se dronët janë prezantuar publikisht nga Albin Kurti dhe se tashmë të gjithë janë të vetëdijshëm për këtë fakt.

“Fatkeqësisht, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për dronë të tipit Bajraktar, bëhet fjalë edhe për sisteme shumë serioze, të sofistikuara kundër armaturës OMTAS, bëhet fjalë për mortaja, granatahedhës e të gjitha. Prandaj, ngre nivelin e rreziqeve dhe kërcënimeve, në radhë të parë për popullatën serbe që jeton në Kosovë, por edhe për Republikën e Serbisë në tërësi”, thotë Staroviq.

Kjo, thekson ai, nuk është shkak për panik, por është shkelje e së drejtës ndërkombëtare për të cilën, thekson ai, Beogradi ka përgjigje adekuate.

Ai thotë se dikush duhet t’i përgjigjet pyetjes se si është e mundur që 24 vjet pas përfundimit të luftës, pas miratimit të Rezolutës 1244, harmonizimit dhe miratimit të marrëveshjes ushtarako-teknike nga Kumanova, ndodhi që – në vend të demilitarizimit – kemi të ashtuquajturat Forcat e Sigurisë së Kosovës, të pajisura me pajisje tejet sulmuese.

Në këtë kuptim, thekson ai, është i rëndësishëm takimi i presidentit Aleksandar Vuçiq dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili duhet të mbahet këtë javë.

“Për shkak se NATO menaxhon misionin e KFOR-it në territorin e Kosovës, misioni i KFOR-it është qartësisht i ngarkuar me zbatimin e çmilitarizimit. Jo vetëm që nuk ndodhi, por tani po flasim për militarizimin dhe paramilitarizimin e Kosovës, dhe pas kësaj sigurisht që do të ishte shumë mirë dhe e dobishme, nëse është e mundur, të thirret një seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dhe të marrim parasysh gjithçka që kemi dëshmuar në 24 vitet e fundit, e cila është intensifikuar në muajt e fundit”, tha Staroviq.

Ai tha se Albin Kurti haptazi mburret me armatim dhe theksoi se ka folur hapur edhe për faktin se Policia e Kosovës është vazhdimësi e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe obligim i KFOR-it, shton ai, është të çmilitarizojë ​Kosovën.

Staroviq, iu referua edhe faktit se Turqia është një fuqi e madhe, e cila ka ndikim të rëndësishëm politik dhe ekonomik në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe se Serbia duhet të ketë marrëdhënie të mira me të.

“Ne po përdorim të gjitha kanalet në dispozicion për të paralajmëruar partnerin tonë nga Turqia se kjo është e papranueshme për ne dhe ajo që është veçanërisht shqetësuese është fakti se Turqia do të marrë komandën e KFOR-it brenda disa muajsh në vjeshtë të këtij viti. Për herë të parë, pra, pas themelimit të misionit të KFOR-it”, thotë Staroviq.

Ai thekson se Kfor duhet të mbajë një qasje neutrale.

“Prandaj është shumë e rëndësishme që të përpiqemi sa më shumë që të kalojmë atë periudhë në atë mënyrë që të kemi bashkëpunim të mirë dhe konstruktiv me aleancën e NATO-s, e cila është në krye të misionit të KFOR-it. Sipas Rezolutës 1244, KFOR-i është përgjegjës për sigurimin e paqes, sigurisë, stabilitetit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë”, tha Staroviq. /Gazeta Enigma

Related Articles