Stoltenberg: Sulmi në Ukrainë është i qëllimshëm dhe i planifikuar gjatë

Stoltenberg: Sulmi në Ukrainë është i qëllimshëm dhe i planifikuar gjatë

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke komentuar situatën në Ukrainë, ka thënë se ky është moment i rëndë për sigurinë në Evropë.

“Ne kemi një luftë në Evropë, të shkallës dhe llojit që kemi menduar se i përkiste historisë”.

Ai ka thënë se ka përfunduar një takim me zyrtarë të NATO-s dhe një listë të gjatë të shteteve që janë pajtuar për të mbajtur konsultime urgjente.

Stoltenberg ka thënë se sulmi “i pajustifikuar dhe i paprovokuar” ndaj Ukrainës është duke vënë në rrezik jetët e shumë njerëzve.

Sipas tij, Rusia ka nisur sulmet nga toka dhe ajri nga drejtime të ndryshme, duke shënjestruar infrastrukturën ushtarake dhe qendrat e qyteteve urbane të Ukrainës.

“Ky është një pushtim i qëllimshëm dhe gjakftohtë që është planifikuar gjatë”, ka thënë ai.

Stolteneberg ka thënë se liderët rusë do të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre dhe jetët e humbura.

Stoltenberg tutje ka thënë se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka dëmtuar paqen në Evropë dhe është zotuar se aleanca do të mbrojë “secilin inç” të territorit të vendeve anëtare.

“Ne do të përgjigjemi me unitet edhe më të madh”, ka thënë Stoltenberg në një konferencë për media, pas mbajtjes së një takimi urgjent me ambasadorët e NATO-s në Bruksel.

“Ajo çfarë ne bëjmë është mbrojtja”, ka thënë Stoltenberg, i cili ka konfirmuar se NATO-ja do të mbajë një samit virtual me 30 vendet anëtare më 25 shkurt.

Related Articles