Struga do të synojë që të shkruajë historinë këtë verë.
Pavarësisht eliminimit nga kualifikueset e Champions, aventura e skuadrës së Shpëtim Duros do të zhvendoset në Conference League ku do të ndeshet me kampionët e Malit të Zi, Buducnost.
Këta të fundit u eliminuan që në fazën paraeliminatore të Champions e tani do të testojnë veten ndaj Strugës. Një sfidë që mund të konsiderohet dhe si “derbi i Ballkanit” për shkak të shtrirjes gjeografike të dy vendeve. Ndeshja e parë do të luhet në Ohër, me ekipin strugan që do të zbresë në fushë me statusin e favorites, ndaj një kundërshtari që nuk duhet nënvlerësuar.
Buducnost numëron mbi 50 ndeshje në kompeticionet e UEFA-s, teksa kanë shkuar vetëm një herë në turin e tretë të Europa League më shumë se një dekadë më parë. Te Struga janë besimplotë se mund të bëjnë mirë ndaj malazezve, për të avancuar më tej.
Në rast se ekipi strugan shkon në turin e tretë të kualifikueseve, atëherë do të ndeshet me skuadrën që kualifikohet nga çifti The New Saints / Swift Hesperange.