Suhareka ka shënuar fitore me rezultat minimal 1-0 në udhëtim ndaj Ferizajt ndeshje kjo e vlefshme për xhiron e pestë në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Ndeshja nisi me një ritëm të ngadaltë me të dyja ekipet që po prisnin ndonjë gabim eventual të njëra-tjetrës për të sulmuar.
Goli i fitores në këtë takim për suharekasit u shënua në minutën e 29-të ku autor i golit ishte Liridon Fetahaj.
Fetahaj pranoi një top të mirë nga Adem Maliqi për të shënuar për rezultatin 1-0 që në fund doli të ishte epilogu përfundimtar i këtij takimi.
Vendasit nuk arritën që të krijojnë shumë në këtë takim përveç një rasti me Albion Kurtajn i cili në minutën e 56-të e detyroi portierin mysafir Ozdogan që të intervenojë.
Kjo ishte fitorja e dytë radhazi për Suharekën pas atyre ndaj Dukagjinit dhe Gjilanit, ndërsa kujtojmë se kanë një ndeshje më pak të luajtur ndaj Dritës.
Me këtë fitore Suhareka shkon në kuotën e dhjetë pikëve të grumbulluara dhe renditet në vendin e dytë në tabelë ndërsa Ferizaj mbetet në pozitën e shtatë me katër pikë.