Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci deklaron se vendi është në rrezik nga kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë, pasi kjo e fundit po mbështet grupet e armatosura paramilitare.
Maqedonci thotë se Serbia ka dislokuar tri brigada ushtarake në jug të territorit të saj dhe përgjatë vijës kufitare me Kosovën ka vendosur 48 baza operacionale.
Në intervistën për KosovaPress, ai deklaron se Bashkimi Evropian po heziton të sanksionojë Serbinë për aktin e agresionit në Banjskë të Zveçanit. Më tej, flet edhe për furnizimin me armatim dhe pajisje ajrore, për çka thotë se blerja e helikopterëve është paraparë në periudhën 2025-2028.
Maqedonci thotë se i gjithë zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës po bëhet në përputhje me standardet e NATO-s. Ai shprehet optimist se Kosova është afër anëtarësimit në aleancën më të madhe ushtarake.
Teksa flet për 24 shtatorin, ai thekson se sulmi në Banjskë të Zveçanit ka qenë i mbështetur nga strukturat shtetërore të Serbisë. Sipas tij, qëllimi ka qenë për shkëputjen e asaj pjese të territorit të Kosovës. Ai vlerëson se ende ka rrezik e kërcënim për përsëritje të këtij rasti.
Megjithatë, ministri i Mbrojtjes zotohet se kanë marrë të gjitha masat që vendi të jetë i gatshëm të përballet me këto kërcënime, në koordinim me KFOR-in dhe partnerët tjerë.
Futja e armatimit nga terroristët serbë në Kosovë, Maqedonci thotë se është bërë në dy vjetët e fundit. Sipas tij, KFOR e ka të pamundur që të kontrollojë gjithë hapësirën kufitare me Serbinë.
Pavarësisht aktit të agresionit, ku rreshteri Afrim Bunjaku mbeti i vrarë, Bashkimi Evropian nuk ka sanksionuar Serbinë. Maqedonci konsideron se vendet e bllokut po hezitojnë të veprojnë.
Në intervistën për KosovaPress, Maqedonci përmend edhe ushtrimin “Defender Europe”, ku deklaron se Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë nikoqire e stërvitjes më të madhe ushtarake ndërkombëtare.
Në fillim të vitit të kaluar është validuar regjimenti i parë i këmbësorisë për të kryer detyra luftarake. Këtë vit do të validohet regjimenti i dytë, po ashtu edhe gjatë vitit 2025 në kuadër të ushtrimit “Defender Europe 25”, me çka do të përmbyllet faza e dytë e tranzicionit të Forcës.
Ministri Maqedonci flet edhe për furnizimin me kapacitete ajrore, ku tregon se kur Kosova do të ketë helikopter.
Edhe sa i përket furnizimit me armatim, Maqedonci thotë se janë para planit dhe se janë pajisur me sistemet më moderne për ndërtimin e një ushtrie profesionale.
Ai deklaron se prioritet mbetet ndërtimi i kapaciteteve për mbrojtjen e vendit dhe kapaciteteve ushtarake për mbështetje të autoriteteve civile.
Në intervistën për KosovaPress, Maqedonci flet edhe për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe aktivitetet e përbashkëta.
Maqedonci thekson si të arritur të vitit të kaluar edhe funksionalizimin dhe punën e Qendrës Kombëtare të Kërkim Shpëtimit, që është pjesë e gardës kombëtare të FSK-së.
Ministri i Mbrojtjes deklaron se gjatë vitit 2023 nuk ka pasur largime apo dorëzim të uniformës, në dy rastet që përmend thotë se janë për shkaqe personale e të cilët kanë dorëzuar arsyetim.