Sulmi ndaj infermieres së QKMF-së në Prishtinë, reagon OIK: Profesionistët shëndetësorë duhet të jenë të sigurt

Sulmi ndaj infermieres së QKMF-së në Prishtinë, reagon OIK: Profesionistët shëndetësorë duhet të jenë të sigurt

Një infermiere e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë është sulmuar fizikisht gjatë kryerjes së detyrës zyrtare në lagjen “Kalabria”.

Siç raportoi Gazeta Sinjali mbrëmë, rasti ka ndodhur më 26 shtator, rreth orës 12:00, në rrugën “Pandeli Sotiri”, ndërsa është raportuar disa orë më vonë në Stacionin Policor Jugu.

Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, infermierja kishte shkuar së bashku me ekipin mjekësor në shtëpinë e një 52-vjeçari, për t’i ofruar trajtim dhe për t’ia pastruar një plagë.

Pas përfundimit të intervenimit mjekësor, mes të dyshuarit dhe infermieres dyshohet se ka nisur fillimisht një konflikt verbal, i cili më pas ka eskaluar në sulm fizik ndaj saj.

Në vendin e ngjarjes ka qenë edhe një infermiere tjetër, e cila është intervistuar në cilësinë e dëshmitares.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar për veprën “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, për rastin ka reaguar edhe Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë (OIK), e cila e ka dënuar fuqishëm sulmin.

OIK ka theksuar se dhuna ndaj profesionistëve shëndetësorë është e papranueshme, veçanërisht ndaj atyre që punojnë në terren për t’u ofruar kujdes dhe ndihmë qytetarëve.

“Profesionistët shëndetësorë duhet të jenë të mbrojtur dhe të sigurt gjatë ushtrimit të detyrës së tyre”, thuhet në reagimin e OIK-ut.

Sipas Odës, raste të tilla cenojnë drejtpërdrejt sigurinë e profesionistëve dhe ofrimin e sigurt e cilësor të shërbimeve shëndetësore.

OIK u ka bërë thirrje organeve kompetente që rasti të hetohet me seriozitet dhe të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj personave përgjegjës.

Hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit po vazhdojnë.

Related Articles