Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se sulmi rus në Ukrainë, përbën agresionin e dytë më të madh ushtarak prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
“Sot është një mëngjes i trishtë në Evropë, për shkak se në këto çaste që ne ndodhemi këtu në konferencë në Prishtinë, në Ukrainë po ndodh invazioni rus, i cili është agresioni më i madh ushtarak – jo vetëm në Evropë – që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore”, ka thënë Kurti në një konferencë të mbajtur lidhur me reformën e administratës publike në Kosovë.
“Në këto çaste të trishta për Evropën, dhe jo vetëm, ne solidarizohemi me popullin e Ukrainës dhe jemi të orientuar bashkë me Bashkimin Evropian, NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar për sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, pavarësinë e vendit dhe të drejtën e vetëvendosjes për popullin e Ukrainës”, ka thënë mes tjerash Kurti.
Edhe liderë tjerë nga Ballkani kanë dënuar sulmin rus, përfshirë nga Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia dhe Bosnje-Hercegovina.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka thënë të enjten se Rusia ka nisur pushtimin e vendit të tij.
Në një postim në Twitter, Kuleba ka shkruar se presidenti rus, Vladimir Putin, ka nisur “pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë”.
“Qytetet paqësore të Ukrainës janë nën sulm. Kjo është një luftë agresioni”, ka thënë Kuleba.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, ka thënë se Rusia ka kryer sulme me raketa në infrastrukturën e Ukrainës dhe mbi rojet kufitare.
Përmes një postimi në Twitter, ai ka thënë se ka biseduar me aleatët perëndimorë dhe se u ka bërë thirrje atyre që ta ndihmojnë Ukrainën me mbrojtje dhe financa.
Presidenti rus ka konfirmuar se ka nisur, siç ka thënë, një operacion “special” për “çmilitarizimin” e Ukrainës.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e ka dënuar operacionin, duke e cilësuar atë si një sulm “të paprovokuar dhe të pajustifikuar” ndaj Ukrainës dhe ka shtuar se bota “do ta mbajë Rusinë përgjegjëse”./Gazeta Enigma/