Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, përmes një njoftimi për media ka njoftuar bizneset dhe opinionin se ueb faqja zyrtare e Dhomës së Tregtisë është sulmuar nga hakerë të panjohur gjatë dy ditëve te kaluara, me ç’rast çasja në ueb faqe ka qenë e pamundur.
“Në rast të kërkimit në faqen tonë zyrtare, e njëjta shfaqej në një gjuhë të huaj aziatike apo nuk ekzistonte fare mundësia për çasje. Dhoma e Tregtisë shpreh shqetësimin e saj të thellë, pasi që, kjo nuk është hera e parë kur ueb faqja jonë zyrtare ballafaqohet me sulme kibernetike. Kjo është hera e dytë brenda këtij viti”, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftim thuhet se shqetësimi bëhet çdo herë e më i thellë kur siguria nacionale po vihet në rrezik si pasojë e sulmeve kibernetike nga të cilat nuk kanë shpëtuar as institucionet shtetërore të Kosovës, ku si pasojë e tyre ishin jashtë funksionit faqet zyrtare të qeverisë dhe shërbimeve për publikun.
“Aktualisht, ju njoftojmë se ueb faqja jonë zyrtare është rikthyer dhe gjendja është e qëndrueshme, si rezultat i masave të ndërmarra me kohë nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë”, thuhet në njoftim.