uventusi ka shënuar fitore si mysafir ndaj Nantes me rezultat 3-0 në kuadër të ndeshjes play-off të Ligës së Evropës.
Ndeshja e parë e zhvilluar në ‘Allianz Stadium’ ishte mbyllur në barazim 1-1.
Zonja e Vjetër arriti ta zhbllokojë ndeshjen që në start të saj, kur Nicolo Fagioli pasoi te Angel Di Maria në krahun e djathtë të sulmit e argjentinasi me një goditje më të parën shënoi super gol për 1-0.
Nuk vonoi shumë dhe Juventusi shënoi edhe golin e dytë dhe largoi dilemat për fituesin.
Në minutën e 17-të, sërish një solo aksion i Di Marias, i cili futet në zonë, duke vallëzuar me mbrojtjen e Nantes, përfiton nga një pakujdesi e portierit, gjuan me thembër, por një lojtar i vendasve e ndal topin me dorë.
Gjyqtari akordoi penallti dhe mbrojtësi Nicolas Palloisi u ndëshkua me karton të kuq, pasi ndali një gol të sigurt. Nga pika e bardhë gjuajti Di Maria i cili ishte i saktë për 2-0.
Në pjesën e parë Juventusi kishte edhe dy raste të tjera për të shënuar, por nuk ishin të saktë.
Edhe në pjesën e dytë, Juventusi kishte më shumë nga loja, me Juan Cuadradon dhe Alex Sandron, që kishin mundësi të mira për të shënuar, por rezultati nuk ndryshoi.
Por në minutën e 78-të, Angel Di Maria kompletoi het-trikun me një goditje me kokë, pas një tollovie në zonë (3-0).
Deri në fund nuk kishte më gola dhe Juventusi me rezultat të përgjithshëm prej 4-1 kaloi tutje.