Xhiroja e 36-të, e fundit e edicionit 2020/21 në Superligën e Kosovës në futboll, do të përcaktojë fatin e shumë skuadrave të elitës së vendit.
Në fakt, vetëm pas kësaj xhiroje do të dihet se cila skuadër do t’i bashkohet Prishtinës e Llapit në gara evropiane edicionin e ardhshëm. Po ashtu, xhiroja e fundit do të përcaktojë se cila skuadër së bashku me Besën do të bie në Ligën e Parë dhe cila do të luajë në barazh me Dukagjinin për vend në Superligë.
Të gjitha ndeshjet e xhiros së fundit zhvillohen të dielën prej orës 15:00.
Në garë për ta siguruar mbijetesën janë pesë skuadra: Trepça ’89, Arbëria, Feronikeli, Drenica e Llapi derisa për Evropë do të luftojnë Drita e Ballkani.
Skuadra nga Mitrovica, Trepça ’89, vlerësohet më e rrezikuara për rënie. Aktualisht është në vendin e nëntë (parafundit) në tabelë me 39 pikë, pozitë kjo që sezonin e ardhshëm dërgon në një rang më të ulët të garave. 89-shi e pret në shtëpi skuadrën e Drenicës që gjithashtu po lufton për mbijetesë dhe zë vendin e gjashtë në tabelë. Drenica i ka 42 pikë, vetëm tri më shumë se skuadra nga Mitrovica.
Te Trepça ’89 e kanë parasysh se fitorja është jetike në këtë derbi, mirëpo për të mos e përfunduar edicionin në pozitën e nëntë, “xehetarëve” duhet t’u shkojnë për shtati edhe rezultatet e ndeshjeve tjera.
Ekipi nga Mitrovica ka bilanc pozitiv në duelet direkte ndaj Arbërisë, ku i ka fituar dy ndeshje, ka barazuar një herë dhe ka pësuar një disfatë. Kundër Llapit ka bilanc të njëjtë, nga dy fitore secili ekip, ndërkohë kundër Drenicës dhe Feronikelit ka bilanc negativ. Kështu që mund të vijë situata që dy apo më shumë skuadra të kenë pikë të njëjta dhe te vendos bilanci në ndeshjet e ndërsjella.
Arbëria e Dobrajës, që këtë edicion u promovua në Superligë, aktualisht mban pozitën e tetë, të barazhit, dhe në ndeshjen e fundit do të jetë mysafire e Dritës që po lufton për ta mbajtur pozitën e dytë për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës.
Ndeshja tjetër që mund të përcaktojë shumë gjëra është ajo që luhet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku skuadra e Llapit e pret Feronikelin. Llapi është i pesti në tabelë me 42 pikë, një më shumë se Feronikeli që zë vendin e shtatë. Skuadrës së Llapit i kryen punë edhe barazimi derisa Feronikeli vetëm me fitore do të ndihet i sigurt. Llapi tashmë ka fituar Kupën e Kosovës dhe trajneri Tahir Batatina ka paralajmëruar se ekipi i tij synon fitoren për ta mbyllur sezonin në pozitën e pestë. Madje ai as që e diskuton mbetjen e Llapit në elitë. Fokusi i Batatinës është te garat në Evropë, në të cilat Llapi do të debutojë në sezonin e ri.
Prishtina që tashmë e ka fituar titullin e kampionit, e pret Ballkanin që ende nuk është dorëzuar në luftën për dalje në Evropë. Ballkani është i treti me 71 pikë, dy më pak se kampionia e edicionit të shkuar, Drita. Për Prishtinën ndeshja është festive e për Ballkanin me peshë të madhe.
Ndërkohë, ndeshje që nuk vendos asgjë do të jetë ajo në Brestovik të Pejës, ndërmjet Besës dhe Gjilanit. Besa ka kohë që e ka “siguruar” rënien në Ligën e Parë, derisa Gjilani e ka të sigurt pozitën e katërt. Pjesëmarrjen në Superligë për sezonin e ardhshëm, tashmë e kanë konfirmuar Malisheva dhe Ulpiana, skuadra që kanë fituar titullin e kampionit në Ligën e Parë, saktësisht Grupet A dhe B.
Superliga – 36
E diel (15:00)
Prishtina – Ballkani
(Arbitra: M. Bejtullahu, A. Ejupi, G. Mehmeti, V. Hoxha)
Drita – Arbëria
(Arbitra: B. Ajeti, L. Muhadri, P. Burrniku, A. Halilaj)
Llapi – Feronikeli
(Arbitra: B. Kasumi, V. Kelmendi, B. Hyseni, M. Ajeti)
Trepça ’89 – Drenica
(Arbitra: G. Nuza, I. Kabashi, F. Jashari, V. Ibërdemaj)
Besa – Gjilani
(Arbitra: V. Kastrati, G. Hyseni, M. Berisha, A. Shala)
RENDITJA
1. Prishtina 35 78
2. Drita 35 73
3. Ballkani 35 71
4. Gjilani 35 48
5. Llapi 35 42
6. Drenica 35 42
7. Feronikeli 35 41
8. Arbëria 35 40
9. Trepça ’89 35 39
10. Besa 35 12