Supremja e lë Ramadan Morinën në paraburgim, Themelorja do ta rivendosë çështjen

Supremja e lë Ramadan Morinën në paraburgim, Themelorja do ta rivendosë çështjen

Gjykata Supreme e ka kthyer për rivendosje çështjen e paraburgimit për të akuzuarin për krime lufte në Malishevë, Ramadan Morina, dhe ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, si dhe vendimin e Gjykatës së Apelit për paraburgim ndaj tij.

Megjithatë, Supremja ka vendosur që Morina të qëndrojë në paraburgim derisa Gjykata Themelore të marrë vendim për këtë çështje në rivendosje.

Më 6 nëntor, Gjykata Themelore ia kishte vazhduar paraburgimin Morinës për dy muaj, ndërkohë që Apeli e kishte vërtetuar këtë vendim më 2 dhjetor.

Kundër këtyre aktvendimeve, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ka paraqitur mbrojtësi i të pandehurit Ramadan Morina, avokati Arianit Koci. Ai ka pretenduar se ka pasur shkelje të dispozitave të procedurës penale që kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësor dhe ka propozuar që masa e paraburgimit të zëvendësohet me një masë më të butë.

Sipas pretendimeve të Kocit, kërkesa për vazhdimin e masës së paraburgimit nuk i ishte dorëzuar konform nenit 188 paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale (KPP).

“Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, pretendimet e mbrojtësit të pandehurit janë të bazuara. Siç del nga shkresat e lëndës, mbrojtësi i të pandehurit, edhe më herët ka parashtruar pretendimin se kërkesa për vazhdimin e masës së paraburgimit nuk i është dorëzuar konform nenit 188 paragrafi 2 të KPP-së”, thuhet në vendimin e Supremes.

Prokuroria Speciale ka njoftuar të enjten se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Ramadan Morina, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

Sipas aktakuzës, më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, Morina, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë.

Related Articles