Supremja shfuqizon Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Muratit: Veteranët që punojnë në sektorin privat kanë të drejtë të marrin kompensim financiar

Supremja shfuqizon Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Muratit: Veteranët që punojnë në sektorin privat kanë të drejtë të marrin kompensim financiar

Gjykata Supreme e Kosovës ka shfuqizuar nenin e Udhëzimit Administrativ Nr. 01/2015, i cili kufizonte të drejtën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për kompensim financiar.

Në arsyetimin e saj, Gjykata ka vlerësuar se ndryshimet dhe plotësimet e fundit të Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së dhe anëtarëve të familjeve të tyre kanë krijuar paqartësi ligjore lidhur me kriterin e marrëdhënies së punës për përfitimin e kësaj të drejte.

“Në analizë të përmbajtjes së dispozitave të ndryshuara, Gjykata konstaton se riformulimi i nenit bazik ka krijuar pasiguri lidhur me pyetjen nëse kjo e drejtë u takon vetëm atyre që janë të punësuar në sektorin privat apo edhe atyre që janë të punësuar në sektorin publik. Në këtë drejtim, Gjykata ka interpretuar nenin 16A, paragrafi 5 të ligjit të ndryshuar, i cili përcakton se: ‘Veteranët e luftës së UÇK-së që punojnë jashtë institucioneve që paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës, si dhe jashtë ndërmarrjeve publike, do të gëzojnë njëtrajtshëm deri në 50% të shumës së paraparë, por që në total nuk do të kalojë 0.7% të Bruto Prodhimit Vendor’”, thuhet në vendimin e Supremes.

Sipas Gjykatës, ligjvënësi ka synuar që nga përfitimi i kompensimit të përjashtohen vetëm personat e punësuar në institucione që financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës ose në ndërmarrje publike, ndërsa ata që punojnë në sektorin privat mbeten përfitues të kësaj të drejte në përputhje me kufijtë ligjorë.

Gjykata thekson se e drejta për kompensim nuk varet nga ekzistenca e marrëdhënies së punës në përgjithësi, por nga natyra e punëdhënësit dhe burimi i financimit të pagës – pra, nëse ajo pagë vjen apo jo nga buxheti i shtetit.

Në këtë kuadër, Gjykata ka konstatuar se kërkesa e Ministrisë për paraqitjen e një dokumenti nga Administrata Tatimore e Kosovës që dëshmon se veterani “nuk është në marrëdhënie pune”, si kusht për përfitimin e kompensimit, është në kundërshtim me ligjin.

“Prandaj, Gjykata Supreme vlerëson se dispozita nënligjore ose udhëzimi administrativ që kërkon një vërtetim të tillë në formën aktuale, duhet të shfuqizohet ose të harmonizohet me përmbajtjen e ligjit të ndryshuar, me qëllim që të sigurohet përputhshmëria vertikale e akteve juridike dhe të garantohet zbatimi i drejtë dhe i njëtrajtshëm i ligjit,” thuhet në vendim.

Në përfundim, Gjykata konstaton se përcaktimi “nuk është në marrëdhënie pune” bie ndesh me nenin 16A, paragrafi 5 të ligjit të ndryshuar dhe, për këtë arsye, nuk mund të përdoret si kriter ligjor për kufizimin e së drejtës së veteranëve të UÇK-së për përfitim financiar, për aq kohë sa ata nuk paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Gjykata ka rikujtuar gjithashtu se me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 05/L-141, Ministria përkatëse ka qenë e detyruar të harmonizojë udhëzimet administrative me ndryshimet ligjore.

Mosndryshimi i Udhëzimit Administrativ Nr. 01/2015, pavarësisht ndryshimeve ligjore të bëra në vitin 2017, dhe mbajtja në fuqi e dispozitës nga neni 14.A, paragrafi 1.5, cenon sigurinë juridike dhe krijon pasiguri në zbatimin e të drejtave të garantuara me ligj.

Related Articles