Gjykata Supreme e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës së Apelit të nxjerrë vitin e kaluar për të ia ulur dënimin Goran Stanishiqin, nga 20 në 15 vjet burgim.
Më 5 tetor 2021 Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Stanishiqin me 20 vjet burgim për pjesëmarrje në masakrën e Sllovisë në prill 1999.
Gjykata Supreme e Kosovës, ka konstatuar se Gjykata e Apelit ka vepruar drejt, kur ka vendosur si në aktgjykim të saj, siç thuhet, duke u nisur nga fakti se në kohën kur është kryer vepra penale, ka qenë fuqi Ligji Penal i Jugosllavisë (LPJ) dhe me nenin 38 par. 1 të këtij ligji ka qenë e parashikuar që “Dënimi me burg nuk mund të jetë më i shkurtër se pesëmbëdhjetë ditë e as mi gjatë se pesëmbëdhjetë vjet.”
Ndërsa në par.2 të njëjtit ligj parashihet se “Për veprat penale për të cilat është parashikuar dënimi me vdekje, gjykata mund të japë edhe dënimin me burgim deri në njëzet vjet”.
“Me rregulloren e UNMIK-ut, nr.199/24 datë 12.12.1999, që ka hy në fuqi me 10 qershor 1999, është shfuqizuar dënime me vdekje dhe nuk është përcaktuar dënimi me burg afatgjatë si zëvendësim. Pra, si alternativ e dënimit me vdekje ka mbetur dënimi me burg deri në pesëmbëdhjetë vjet”, ka sqaruar më tej Supremja.
Dhe për shkak të kësaj, Supremja ka arsyetuar se meqë nuk kemi dënim me vdekje, si alternativë mund të jetë vetëm dënimi deri me 15 vjet burgim.
Në Sllovi në prill të 1999-tës, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë. Stanishiqi, siç kanë konstatuar tri shkallët e gjyqësorit asokohe ishte pjesë e një njësie rezervistësh të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP).