Pas shqyrtimit të kërkesës nga Gjykata Themelore në Prishtinë për një mendim juridik lidhur me rastin “Banjska”, Gjykata Supreme ka konfirmuar se nuk ofron këso lloj mendimesh për dilemat që hasin gjykatat e shkallës së parë gjatë procedimeve penale.
Kërkesa nga Gjykata Themelore ishte bërë për të përcaktuar nëse gjykimi në mungesë mund të aplikohet në rastin e përmendur, ndërsa seanca për këtë çështje u zhvillua më 27 shtator 2024.
Në përgjigjen e saj për Betimin për Drejtësi, Gjykata Supreme theksoi se “asnjëherë nuk jep mendime juridike për dilemat që i ka gjykata e shkallës së parë”, duke i lënë gjyqtarët të vendosin sipas vlerësimit të tyre, transmeton Gazeta Enigma.
Në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, dy të akuzuarit, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq, nuk u deklaruan për fajësinë, ndërsa Dushan Maksimoviq shpalli veten të pafajshëm për akuzën e sulmit terrorist në Banjskë.
Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë më 11 shtator 2024 ndaj Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku ata akuzohen se, me përdorimin e armëve të rënda, tentuan të shkëpusin veriun e Kosovës dhe ta bashkojnë me Serbinë.
Ky sulm rezultoi me vdekjen e zyrtarit policor Afrim Bunjaku dhe rrezikoi jetën e zyrtarëve të tjerë dhe popullatës civile.
Radoiçiq, i cili akuzohet si kreu i grupit terrorist, është ngarkuar se ka siguruar të ardhura të paligjshme që i ka përdorur për të krijuar pasuri, përfshirë pasuri të paluajtshme, me qëllim të fshehjes së burimit të saj.
Të akuzuarit përballen me akuza të rënda, përfshirë “Kryerjen e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues”, “Lehtësimin dhe financimin e terrorizmit” dhe “Shpërlarje të parave”./GazetaEnigma/