Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka treguar se bashkë me Ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, të mërkurën kanë takuar ambasadorët e shteteve të QUINT-it.
Ai ka treguar t’i kenë njoftuar diplomatët për veprimin e fundit të Serbisë për maltretuar, arrestuar e ndaluar qytetarë të Kosovës, përfshirë pjesëtarë të policisë.
“Ne bëjmë thirrje për lirimin e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq dhe qytetarëve të tjerë që po mbahen të arrestuar. Kërkojmë kthimin e tyre në Republikën e Kosovës. Ky veprim kërkon ndëshkimin nga bashkësia ndërkombëtare”, është shprehur Sveçla në konferencën e përbashkët me kryeministrin, Albin Kurti.
Duke thënë se Serbia është shtet diktatorial dhe se politika e presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq, nuk dallon nga ajo e Sllobodan Millosheviqit, ministri i brendshëm ka treguar numrin e kosovarëve të ndaluar nga Serbia.
“1 mijë e 498 janë ndaluar, maltretuar, arrestuar e marrë në pyetje në lidhje me të kaluarën me UCK-në, pjesëmarrjen personale apo të familjarëve të tyre dhe vendndodhjen dhe veprimtarinë gjatë viteve 1998-1999.
“U janë marr dokumentet personale, duke ua pamundësuar që të lëvizin apo të kthehen mbrapa. U kanë munguar për orë të tëra ushqimi dhe barnat”.
Ai ka thënë se arrestimi dhe ndalimi i zëvendësdrejtorit të policisë, Dejan Jakoviq, pjesëtarëve tjerë të policisë dhe qytetarëve është mesazh për frikësimin e serbëve të Kosovës.