Sveçla inspekton kufirin pas rrëmbimit të Vukashinoviqit: Serbia po shkel sovranitetin e Kosovës

Sveçla inspekton kufirin pas rrëmbimit të Vukashinoviqit: Serbia po shkel sovranitetin e Kosovës

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka inspektuar sot pjesën e kufirit shtetëror ku javën e kaluar u rrëmbye shtetasi i Kosovës, Milan Vukashinoviq.

Sveçla tha se, bazuar në informacionet dhe dëshmitë e mbledhura nga institucionet e sigurisë, tashmë është e konfirmuar se Vukashinoviq është kidnapuar nga strukturat e Serbisë si kundërshtar i Listës Serbe, duke u shkelur sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës. Ai aktualisht po trajtohet në spitalin e Nishit për plagët e marra gjatë rrëmbimit.

Ai theksoi se Serbia po dëshmohet çdo ditë e më shumë si shtet agresor dhe antidemokratik, pasi Vukashinoviqit ende i mohohet mbrojtja ligjore — një standard që, siç tha Sveçla, respektohet edhe në regjimet më autoritare.

Ai shtoi se institucionet e Kosovës po vazhdojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë. Sipas Sveçlës, përgjegjësit do të dalin para drejtësisë sapo të përfundojnë procedurat hetimore.

Sveçla u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të shtojnë presionin ndaj Serbisë, për të ndëshkuar veprimet destabilizuese dhe për të parandaluar eskalime të tjera në rajon.

Related Articles