Sveçla: Ka nisur procesi për një administratë profesionale e të depolitizuar

Sveçla: Ka nisur procesi për një administratë profesionale e të depolitizuar

Ministria e Punëve të Brendshme ka organizuar Konferencën për Reformën e Administratës Publike (RAP) në Kosovë në bashkëpunim me zyrën e Kryeministrit, Departamentin për Reformën e Administratës Publike dhe OECD/SIGMA.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, theksoi se është nisur procesi për një administratë profesionale dhe të depolitizuar, e cila funksionon sipas parimeve të meritokracisë, transparencës dhe efikasitetit.

Siç njofton Ministria, Sveçla në fjalën hyrëse të konferencës foli për rëndësinë e një administrate publike efikase, moderne, transparente dhe llogaridhënëse, si bazë për të gjitha reformat e tjera.

Ai vuri në dukje përpjekjet për ta përmirësuar jetën e qytetarëve përmes shërbimeve më të mira, rritjes ekonomike, drejtësisë, punësimit dhe integrimit evropian.

Më tutje ai tha se kjo administratë shpërblehet nëpërmjet një sistemi pagash të unifikuar, të ligjshëm dhe transparent. Duke folur për përparimet, ministri tha se qeveria është e përqendruar në zhvillimin e kapaciteteve dhe racionalizimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset. Vizioni, sipas tij, është një administratë e qëndrueshme, me rekrutime transparente, shërbime digjitale dhe llogaridhënie të rritur të nëpunësve civilë.

Një element tjetër i rëndësishëm është perceptimi pozitiv i qytetarëve dhe bizneseve ndaj administratës. Sipas anketave, besimi i qytetarëve në shërbimin civil është 25% mbi mesataren e rajonit.

Sveçla përmendi sfidat e mbetura, por shprehu përpjekjen për të vazhduar punën për një administratë moderne dhe të transformuar. Ai falënderoi zyrtarët e administratës për kontributin e tyre në këtë proces.

Related Articles