Sveçla pas aksionit të sotëm policor: Kriminelët e kanë vendin në burg

Sveçla pas aksionit të sotëm policor: Kriminelët e kanë vendin në burg

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke folur për rastin e plaçkitjes në një argjendari në Suharekë, ka thënë se kriminelët e kanë vendin në burg.

Ai iu ka uruar shërim të shpejtë policëve të lënduar gjatë përballjeve me kriminelët, raporton Klan Kosova.

“Akte të tilla janë absolutisht të papranueshme dhe përgjigjja e vetme ndaj kriminelëve të tillë është sjellja para drejtësisë. Për këtë, Policisë së Kosovës i kam ofruar mbështetjen time të plotë institucionale si dhe kam kërkuar angazhim maksimal në zbardhjen e këtij rasti”, ka shkruar ai.

“Sot jam njoftuar që Policia e Kosovës pas një pune intensive hetimore ka lokalizuar plaçkitësit dhe ka realizuar operacionin e arrestimit të tyre. Njëri nga të dyshuarit ka shtënë drejt zyrtarëve duke plagosur një zyrtar policor dhe me këtë rast i njëjti është neutralizuar. Deri më tash janë arrestuar shtatë persona ndërsa Policia është në kërkim të personit tjetër të përfshirë në këtë rast. Dy zyrtarëve policor të cilët janë plagosur dhe zyrtarit të lënduar në reagim dhe arrestim të të dyshuarve të këtij rasti ju uroj shërim të shpejtë”, ka shtuar ai.

Sipas tij, krimet nuk do të mbesin pa u ndëshkuar sepse Kosovën nuk do ta lejojmë të bëhet vend i pasigurisë.

“Vendi i kriminelëve është burgu, dhe ky është mesazh i qartë dhe i prerë që duhet të marrë kushdo që tenton që për çfarëdo arsye të destabilizojë sigurinë në vendin tonë. Krimet nuk do të mbesin pa u ndëshkuar sepse Republikën e Kosovës nuk do ta lejojmë të bëhet vend i pasigurisë. Rendi dhe ligji do të mbizotërojnë në çdo cep të saj”, ka thënë ministri Xhelal Sveçla.

Related Articles