Policia e Kosovës sot ka realizuar një bastisje në fshatin Vallaq të Zveçanit, ku janë gjetur raketahedhës dore (zolla), granata dore, tronblonë, armë dhe municion i llojeve të ndryshme.
Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla tha se një arsenal i tillë është i mjaftueshëm “për një njësit terrorist”.
“Sipas informacioneve që kam pranuar, armatimi i rëndë është gjetur në një objekt që i përket politikanit Aleksandar Arsenijeviq”, shkroi Sveçla në një postim në Facebook.
“Krimi nuk mund të fshihet kurrë, pavarësisht petkut që vesh. Veçanërisht përballë institucioneve tejet vigjilente e profesionale që po punojnë pa u ndalur në ofrimin e sigurisë e sundimit të rendit e ligjit në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës”.
“Nuk do të ndalemi derisa në çrrënjosjen e plotë të mbetjeve kriminale e terroriste të Serbisë nga vendi ynë”, përfundoi Sveçla, duke ndarë një video nga armët e gjetura.