Ambasadori i Bashkimit Evropiant në Prishtinë, Tomas Szunyog ka përgëzuar Kosovën pas ngritjes në Indeksin e Përceptimit të Korrupsionit.
Ai ka shkruar se ka ende punë për të bërë në të ardhmen.
“Urime për Kosovën, e cila është ngritur për 17 vende në krahasim me vitin e kaluar në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit. Shumë punë ende përpara. Bashkimi Evropian e mbështet plotësisht Kosovën në luftën e vazhdueshme kundër korrupsionit”, shkruan Szunyog.
Kosova, ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit, sipas Organizatës ndërkombëtare “Transparency International”.
Nga 180 vende të botës, kjo organizatë e ka ka renditur Kosovën në vendin e 87, 17 vende më lartë sesa ishte vitin e kaluar.
Sipas këtij raporti, vetëm Mali i Zi qëndron më mirë në Ballkanin Perëndimor, me 46 pikë. Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia dhe Serbia janë vlerësuar më pak.
Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri./Gazeta Enigma/.