Fitoret në tri ndeshjet e fundit e kanë motivuar skuadrën e Dukagjinit që ta synojë edhe triumfin e katërt rresht, në duelin kundër kampiones në fuqi, Prishtinës.
Dukagjini do të jetë mysafir i Prishtinës në ndeshjen që luhet të shtunën prej orës 15:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe i takon xhiros së 32-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Pas formës së mirë që ka treguar në ndeshjet e fundit, Dukagjini është ngjitur në pozitën e gjashtë në tabelë me 39 pikë, tri më pak se Prishtina që renditet e pesta.
“Nuk diskutohet ajo punë, ne luajmë për të marrë një rezultat pozitiv ndaj secilit kundërshtar, përfshirë tani edhe Prishtinën. Besoj në një paraqitje të mirë dhe të vazhdojmë formën e mirë që e kemi treguar kohën e fundit. Jemi të qetë që jemi larguar nga zona e ftohtë, por ende asgjë nuk është e sigurt dhe patjetër na duhet një rezultat i mirë”, ka thënë trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku, të premten për KOHËN.
Te Prishtina po synojnë ta ndërpresin serinë pozitive të Dukagjinit. Kështu ka insistuar sulmuesi Leotrim Kryeziu. Ai ka thënë se Prishtina e kërkon vetëm fitoren pasi nuk i përshtatet asnjë rezultat tjetër. Prishtina në këtë takim futet pas fitores që e arriti në udhëtim te Gjilani (2:1).
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme me Dukagjinin, të cilën duhet ta fitojmë. Ne do të futemi vetëm për tri pikët dhe shpresoj t’i marrim. Pas fitores ndaj Gjilanit duam të vazhdojmë me formën e mirë. Sigurisht që Dukagjini ka një ekip të mirë dhe vjen pas një serie prej tri fitoreve rresht, por ne jemi gati për t’ia ndërprerë. Jemi përgatitur mirë dhe do të luajmë në shtëpi”, tha Kryeziu.
Të shtunën luhet edhe një ndeshje tjetër. Në Lipjan, Ulpiana që pothuajse është pa gjasa për t’i shpëtuar rënies do të përballet me Gjilanin. Gjilani është i treti me 55 pikë, sa i ka edhe Drita që renditet e dyta. Ndërkohë, lider është Ballkani me 69 pikë dhe i duhet vetëm edhe një fitore në pesë xhirot e fundit për t’u konfirmuar kampion i këtij edicioni.
Në ndeshjen kundër Llapit, Ballkani mund ta festojë titullin. Por trajneri i ekipit nga Podujeva ka paralajmëruar skuadrën nga Suhareka. Tahir Batatina ka thënë se Ballkanit do t’i shtyhet festa e titullit për javën tjetër, pasi në stadiumin “Zahir Pajaziti” skuadra e tij e ka fjalën kryesore. Kjo ndeshje luhet të dielën prej orës 15:00.
Llapi ka fituar katër ndeshjet e fundit dhe është i katërti në tabelë me 53 pikë. Ballkani ka shtatë fitore rresht dhe po marshon drejt titullit të parë në histori të klubit.
“Ne do ta japim maksimumin në këtë ndeshje pasi duam ta vazhdojmë serinë pozitive që e kemi. Ne do të mundohemi t’i gëzojmë shikuesit tanë, të cilët besoj se do të jenë në numër rekord. Së bashku me ta ne duam ta festojmë natën e Bajramit me fitore, kurse Ballkani le ta falë Bajramin të hënën dhe pastaj të presë për të festuar titullin në Suharekë. Ne jemi të motivuar maksimalisht për këtë takim dhe atmosfera në ekip është brilante”, është shprehur Batatina.
Nën hijen e këtij derbi të dielën do të zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera. Skuadra e Dritës e pret Drenicën, ndërsa Feronikeli, që tashmë ka rënë nga Superliga, luan në shtëpi kundër Malishevës, ekip që është në zonën e barazhit.
Superliga – 32
E shtunë (15:00)
Prishtina – Dukagjini
Ulpiana – Gjilani
E diel (15:00)
Llapi – Ballkani
Drita – Drenica
Feronikeli – Malisheva
1. Ballkani 31 21 6 4 53:19 69
2. Drita 31 16 7 8 49:24 55
3. Gjilani 31 14 13 4 46:28 55
4. Llapi 31 15 8 8 51:33 53
5. Prishtina 31 11 9 11 39:34 42
6. Dukagjini 31 9 12 10 31:31 39
7. Drenica 31 11 6 14 43:44 39
8. Malisheva 31 10 7 14 36:38 37
9. Ulpiana 31 5 9 17 27:56 24
10. Feronikeli 31 3 3 25 12:80 12