Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka deklaruar se PDK-ja nuk synon që vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Sipas tij, partia do të angazhohet për të formuar një qeveri të re nga partitë opozitare.
Tahiri ka theksuar se kjo qeveri duhet të drejtohet nga Bedri Hamza, duke theksuar se PDK-ja nuk është në favor të zgjedhjeve të reja në këtë fazë.
“Ne apriori nuk jemi që vendi t’i drejtohet kutive të votimit, ne nuk jemi ata që i duam zgjedhjet, do të insistojmë që qeverinë e ardhshme ta udhëheqë Bedri Hamza”, është shprehur ai për RTV21.
Në lidhje me përpjekjet e LDK-së për të udhëhequr qeverinë e re, Tahiri ka rikujtuar rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke nënvizuar se votat e qytetarëve kanë përcaktuar se cila parti duhet të ketë të drejtën për ta udhëhequr ekzekutivin.
“Në rast se do të jemi partia e parë, ne do të kërkojmë që mandatar për krijimin e qeverisë të jetë Bedri Hamza. Në rast se nuk do të ishim partia e parë dhe do t’i kishim ndërruar vendet me LDK-në, do ta kishim mbështetur Abdixhikun”, ka deklaruar ai.